Aktivistët nga iniciativa “E dua Vodnon” edhe sot me mburojë të gjallë e mbrojtën malin. Punimet e ndërtimit dhe prerjet e druve vazhdojnë, megjithëse nuk ekziston asnjë marrëveshje midis Eko-Shoqatave dhe autoriteteve. Ambientalistët e mohojnë plotësisht njoftimin e Resurseve Energjetike të Maqedonisë, të cilat dje siguruan se aktivitetet e ndërtimit në Vodno për gazsjellësin vazhduan pas marrëveshjes me aktivistët civil. Informacioni i tyre thotë se leja e prerjes së druve të investuesit ka skaduar, dhe kërkesa për një të re është në procedurë, edhe pse sot disa pemë në mal janë shkulur. Aktivistët kanë frikë nga zhdukja e mundshme e disa llojeve endemike me origjinë shtazore.

Prerja e druve që kaq shumë është përmendur mund të vijë në fund. Do të ketë edhe gërmime me dinamit, sepse terreni është me gurë, do të ketë shumë ndryshime. Nuk mund të kalosh një ligj në një zonë të mbrojtur dhe ta mbrosh atë zonë, ndërsa për momentin ta shkatërroni. ” – Tanja Stojanovska, Iniciativa “E dua Vodnon”

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve pretendojnë se kompania REM zotëron të gjitha lejet e ndërtimit dhe ata vetë vendosën ta vazhdojnë ndërtimin. Nga REM, u përgjigjën se drejtori Bajram Rexhepi është në udhëtim zyrtar, pa thënë se me cilat organizata kanë arritur një marrëveshje.

Resurset Energjetike të Maqedonisë janë të hapura për bisedime dhe në parimin e gjithë-përfshirjes, i ftojmë në bisedë shoqatat qytetare në ditët e ardhshme, për të sqaruar keqkuptimet dhe për t’u përgjigjur në pyetjet që krijojnë pasiguri”. – u shprehën nga Resurset Energjetike të Maqedonisë

Edhe pse dy parashtresa për punën në Vodno kanë arritur në Inspektoratin e Ndërtimit, nga ky institucion shtetëror ende nuk kanë gjetur kohë për të bërë kontroll në terren. Drejtori nuk dha deklaratë, nën arsyetimin se qenka në funksion vetëm dy muaj dhe nuk ishte i njoftuar me rastin.

Është e saktë se nga Organizatat Joqeveritare kemi marrë dy parashtresa për punët ndërtimore në Vodno për ndërtimin e gazsjellësit. Por, Inspektorati Ndërtimor ka vetëm katër inspektorë që punojnë në terren, në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë. Për momentin, njëri prej tyre është në pushim mjekësor, ndërsa dy tjerë kanë marrë një ditë pushim dhe janë në fundjavë të vazhduar. Prej të hënës do të përpiqemi t’i shqyrtojmë këto parashtresa, shpresoj se do të na prisni”. – theksuan nga Inspektorati i Ndërtimit

Punët ndërtimore për gazsjellësin në Vodno u ndërprenë pasi ambientalistët u shtrinë përpara ekskavatorëve dhe kërkuan të gjendet një trase alternative. Qëndrimi i autoriteteve është se ndryshimi i trasesë do të thotë kosto më të lartë për shtetin. Kanë kaluar dy debate publike mes të dy palëve, por zgjidhje nuk është gjetur ende.

Loading...