Vrasja e ambasadorit, rusët gjejnë “fajtorin”

Fajtore për vrasjen e Ambasadorit rus në Turqi është Britania. Të paktën ky është mendimi i liderit ultra nacionalist rus Vladimir Zhirinovsky, i cili deklaroi se sulmi kishte për qëllim të ndalonte një vizitë të ardhshme të Erdogan në Moskë, për forcimin e marrëdhënieve me Putin.

“Perëndimi po përpiqet ta fusë vendin në konflikt dhe të gjitha konfliktet kanë qenë të frymëzuara nga Britania. Kjo është bërë qëllimisht për të frustruar vizitën e Erdogan. Një gjë është e sigurt, kjo vizitë tani për tani do të shtyhet”.

Ndërkohë, senatori i Kremlinit, Frantz Klintsevich e drejtoi gishtin nga NATO.

“Mund të jetë ISIS, ose ushtria kurde që përpiqet të dëmtojë Erdogan. Por ndoshta,  kjo ka shumë gjasë, që përfaqësues të huaj të shërbimeve sekrete të NATO –s të qëndrojnë pas kësaj. Ajo çfarë ndodhi është një provokim i vërtetë, një sfidë. Është një sfidë për Rusinë.”

Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin thërriti një takim të menjëhershëm për të diskutuar përgjigjen e vendit të tij.

Edhe Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan thërriti një takim për të diskutuar mbi këtë sulm, që erdhi pasi tensionet mes dy vendeve për përfshirjen e Rusisë në konfliktin e Sirisë, janë zbutur.

Tashmë, ekziston frika do të ketë përshkallëzim të problemeve në rajon.

Ambasadori rus në Turqi Andrei Karlov, 62 – vjeç, u qëllua nëntë herë teksa po mbante një fjalim në një galeri arti në Ankara të Turqisë. Ai u vra nga oficeri i policisë që e ruante, 22 –vjeçari Mevlut Mert Altintas.

Sulmi i mbrëmshëm është konsideruar nga Rusia si një sulm terrorist./tvklan.al

Loading...