Vrasja e Ivanoviç, Meta dhe Rama dënojnë aktin kriminal

Reagimet lidhur me ekzekutimin e liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç ka qenë të shumta nga klasa politike në Kosovës, Serbi, por edhe drejtuesit më të lartë në BE.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, atyre iu është bashkëngjitur edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Kreu i ekzekutivit e cilëson vrasjen një akt keqdashës dhe insiston që dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë pavarësisht kësaj ngjarje.

“Keqardhje e thellë për tragjedinë e Oliver Ivanoviç; akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension. Përpjekjet për dialogun e paqen s’duhen ndalur! Duhen thelluar!”, shkruan Rama në Facebook.

Meta: Të zbardhet vrasja, të ruhet vazhdimësia e dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti Ilir Meta, shpreh keqardhjen e thellë dhe dënon ashpër vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Liderit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviç.

Meta kërkon që autoritetet përkatëse të zbardhin sa më parë këtë akt kriminal dhe të venë përpara drejtësisë autorët.

Kreu i Shtetit bën thirrje për vlerësimin e situatës me qetësi e maturi dhe që ky akt kriminal të mos ndikojë në procesin e rëndësishëm të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, proces i cili është shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të dy vendeve dhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë e rajonit tonë.

16 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)

Loading...