Vuçiq: Kontesti i emrit të Maqedonisë dhe problemi me Kosovën nuk mund të krahasohen

Zgjidhja e kontestit për emrin e një shteti, siç është rasti me Maqedoninë, nuk mund të krahasohet me problemin e Kosovës, deklaroi sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për qëndrimin e tij në lidhje me marrëveshjen për kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe nëse për shkak të këtij rasti mund të pritet trysni ndaj Beogradit për marrëdhëniet me Kosovën dhe BeH, Vuçiq tha se këto janë çështje që nuk mund të krahasohen, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Mos krahasoni problemin e një emri, a do të quhet Serbi e Vjetër, Serbi Veriore ose Jugore, me problemin e Kosovës, ku kemi problem me mbi një milion njerëz dhe 10.000 kilometra katrorë sipërfaqe të diskutueshme”, deklaroi Vuçiq, duke shprehur shpresë se edhe për çështjet mes Serbisë dhe Kosovës mund të ketë zgjidhje.

Nxitës për këtë pyetje të gazetarëve ka qenë deklarata e mëhershme e vetë presidentit serb se pret trysni të madhe, nga jashtë dhe brenda, me qëlim të dobësimit të pozitës së Serbisë në negociatat me Kosovën, për shkak të pamundësisë për arritje të marrëveshjes./Telegrafi/

Loading...