Sipas zyrtarëve turq, Khashoggi u sulmua që në momentin kur hyri në konsullatë.
Prestigjiozja amerikane Washington Post është në pritje të përgjigjeve mbi vrasjen e bashkëpunëtorit të saj Jamal Khashoggi, për çka i kërkoi Kongresit amerikan të vendoste sanksione ndaj atyre që janë përgjegjës për vrasjen.

Në një opinion të bordit redaktues të gazetës kërkohet përgjigje se “çfarë ndodhi me trupin e Khashoggit që mbeti i pazbuluar”.

Bordi i gazetës akuzon qeverinë saudite dhe siç thotë, de fakto bashkëpunëtorët e saj në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, për heshtjen e tyre në vend që të jenë të zëshëm dhe të pastrojnë paqartësitë mbi vrasjen.

“Ata që qëndrojnë pas vrasjes shpresojnë se kërkesat për llogaridhënie do të zhduken, tani që ky rast është hequr nga ballinat e lajmeve. Kjo nuk duhet të lejohet”, thuhet në tekstin autorial të bordit të Washington Post.

Sipas zyrtarëve turq, Khashoggi u sulmua që në momentin kur hyri në konsullatë, gishtat e tij u prenë ndërkohë që i është injektuar një substancë përpara se të copëtohej nga një specialist i autopsisë i cili mbërriti në Stamboll me një sharrë, shkruan bordi, transmeton “Koha.mk”.

“Atë që turqit akoma nuk e dinë është shprehur publikisht nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan: Ku është trupi i Khashoggit dhe kush urdhëroi dhe mbikëqyrte këtë operacion brutal”?, shkruan më tej.

“Sauditët i dinë përgjigjet e të dyja pyetjeve. Ekspertët mbi çështjet në Arabinë Saudite janë pothuajse unanim duke thënë se një mision i tillë i guximshëm, duhet të ketë qenë i njohur dhe me shumë gjasa i urdhëruar, nga de fakto sundimtari i Mbretërisë, princi i Kurorës, Mohammed bin Salman”, shkruan Washington Post.

Bordi tha se Kongresi duhet të thërrasë drejtoreshën e CIA-s, Gina Haspel, e cila ishte në Turqi javën e kaluar për çka informoi Trumpin dhe zyrtarë tjerë të lartë të SHBA-ve për njohuritë që kanë mbi vrasjen, duke bërë thirrje për sanksione për përgjegjësit përfshirë edhe princin Mohammed bin Salman, nëse rezulton fajtor.

Loading...