Akuzat ndërmjet Jeta Xharrës dhe Adriatik Kelmendit kanë vazhduar duke zbuluar detaje të reja pas përplasjes që kishin pasur në një debat të organizuar për ambientin.

Xharra e ka akuzuar autorin e emisionit Rubikon se është i përfshirë në biznese me qymyr e naftë.

Në debatin për ambientin, Kelmendi e kishte ndërprerë Xharrën në një intervistë që kishte qenë duke e realizuar me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Kelmendi ka shpjeguar se Xharra e kishte tejkaluar kohën e paraparë për intervistë.

Në anën tjetër, Xharra ka thënë se Kelmendi e ka bërë një veprim të tillë për të mbrojtur kompani me të cilat punon, si HIB e KEDS.

“Ndoshta kishte me qenë mirë me i tregu ti shokëve të tu gjithashtu të dhënat që në atë intervistë për ambient që isha tu e zhvillu, unë e pytsha kryeministrin se sa naftali i ka dënu qeveria e tij për kualitet të dobët të naftës/benzinit që e shesin në Kosovë (e cila kontribuon në ndotje të ambientit), e ty të ka dhimt se ti me firmën tande ke punu për HIB-in! Ndoshta kishte qenë mirë shokët e tu me dit që u mundojshe me ma ndal transmetimin kur unë e pytsha kryeministrin për damin ambiental që i kanë shkaktu grykës së Deçanit hidrocentralet, e ti me firmën tande punon për KEDS që ka vjedh hidrocentrale prej Kosovës (i ka marr pa pagu), prap të dhimke”, ka shkruar Xharra në reagim.

“Ndoshta kishte qenë mirë me dit shokët e tu që ti normal që ke me qenë i anshëm në një konferencë për ambient, sepse ke punu për kompani qymyri tash rishtazi, e qymyri që llogaritet ndotësi ma i madh i ajrit në Prishtinë që ja nxin mushknit fmive të mi e të tu, por ti s’e ki problem me shit shërbime për ta! Tash ti spjegoja miqve tu se me çfarë FTYRE e ETIKE PROFESIONALE mundet një gazetar me punu edhe për kompani duke ia bo propagandën atyne çka me thanë në publik, edhe me pretendu që e ushtron gazetarinë profesionale e të paanshme. Spjegojau se me siguri që ka shumë miq të tu që janë kurioz me dit qysh flet ti rahat me qët dyftyrësi të punës tande, me një lugë me hangër prej industrisë së ndotësve, e me lugën tjetër me pretendu që je i paanshëm në moderim të tryezave për ambient?!”, ka shtuar ajo.

Sidoqoftë, Kelmendi, të shtunën mbrëma ka dhënë krejt një version tjetër për ngjarjen, duke thënë se edhe mysafirët mund ta thonë të vërtetën e tyre problemin që kishte ndodhur në tryezë.

“Jo vetëm për ndonjë “interes” timin, por Jeta ka mundur fare lirisht edhe të më shajë personalisht, të ma shajë familjen, shoqërinë ose këdo timin dhe kjo nuk do të më shtynte t’ia ndërpresja fjalën, nëse do të ishte brenda minutave të parapara me agjendë. Thjesht, unë kam kryer punën time me profesionalizëm!”, kishte thënë Kelmendi.

Loading...