Aktori nga Maqedonia Xhevat Limani së fundmi është dekoruar me titullin “Ikonë e Aktrimit Shqiptar”, njofton Portalb.mk.

Ky titull për Limanin erdhi si shenjë mirënjohje për punën që ai e bëri në realizimin e Festivalit të III-të “Nacional Shqiptar” dhe dhjetëvjetorin e themelimit të shoqatës “Johona Shqiptare”.

Për këtë dekorim ka njoftuar vetë aktori duke shprehur edhe faleminderimet për të njëjtën.

“Shqipërisht. Faleminderit SHKA “Jehona Shqiptare” me presidente Zamira Korançe dhe kryetaren e vlerësimeve artistike artisten e popullit Margarita Xhepa që më nderuan me titullin “Ikonë e Aktrimit shqiptar”. Pranova këtë vlerësim artistik me bindje”, tha Limani.

Duke u thirrur në dekoratat e shumta presidenciale, të cilat sipas tij kanë “ç’nderuar turpërisht vlerat kombëtare”, Limani ka shprehur edhe protestë ndaj gjendjes së kulturës shqiptare.

“Me këtë rast shpreh protestën time të Artistit pa Atdhe, ndaj Institucionit të Presidentit që ka ulur nivelin dhe kriteret vlerësues artistik e kombëtar me ç’rast ka ndarë aq shumë dekorata për numërorë dhe emra të përgjithshëm sa ka ç’nderuar turpërisht vlerat kombëtare”, ka shkruar më tej Limani.

Xhevat Limani, u lind më 1 janar 1953 në Fierishtë të Strugës (Maqedoni). Diplomoi në Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë. Ka luajtur në një varg rolesh në teatër dhe në disa filma artistikë. Është skenarist dhe regjisor i filmit të parë shqiptarë në Maqedoni, me titull “Fatprerët”.

Ka fituar një varg çmimesh dhe mirënjohjesh kombëtare dhe ndërkombëtare. Prej vitit 2002 punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka realizuar disa shfaqje.

Ka një veprimtari të bujshme me role të shumta si në:”Nuk ishin vetëm” (film dokumentar për shqiptarët e Amerikës në luftën e UÇK-së), “Pranverë dimërore” – poezi, “Albaniada” – dramë, “Artisti pa Atdhe” (roman), “Dodona” – dramë, “Ora shqiptare”, “Demoniada”, “Antimemorandum”, “Anatema”, “Hijet”, “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu”, “Muri i lotëve”, “Unë Adem Jashari”dhe nën shumë role të tjera.

Xhevat Limani gjatë promovimit të romanit të tij “Artist pa Atdhe” në Strugë.

Loading...