Zaev dhe Ivanov “kacafyten”, akuza të ndërsjellta

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, Marrëveshjen me Greqisë për ndryshimin e emrit të shtetit e ka quajtur si marrëveshje më të dëmshme për interesat shtetërore të arritur ndonjëherë. Me këtë marrëveshje, sipas tij, rrënohet identiteti maqedonas, gjuha, kultura dhe gjithçka që ka të bëjë me qenien maqedonase.

Ai ka përsëritur qëndrimin se një marrëveshje të tillë asnjëherë nuk do ta dekretojë, ndërsa tha se do të bartin përgjegjësi të gjitha ata që tentojnë në ndonjë mënyrë ta anashkalojnë nga detyrimet që ia garanton Kushtetuta.

“A thua ne me këtë marrëveshje të dëmshme tani vullnetarisht po ua japim emrin. Çështja e emrit dhe e identitetit është më e vjetër se çdo Kushtetutë, se çdo Qeveri, parti apo president, e madje më të vjetër edhe vetë shteti. Asnjë individ nuk ka të drejtë të bëjë tregti me emrin dhe identitetin.

Andaj, asnjëherë nuk do të pranoj këtë marrëveshje që dëmton identitetin nacional maqedonas dhe shtetin në përgjithësi. Asnjëherë nuk do të mund të më gjunjëzojnë që të pranoj diçka të tillë.

Mbetem në qëndrimin tim parimor”, ka deklaruar Ivanov në Krushevë në një paraqitje para opinionit me rastin e 2 gushtit, Ditës së Kryengritjes së Ilindenit.

Ai ka thënë se procesi integrues nuk duhet të keqpërdoret apo të shërbejë si alibi për një marrëveshje të keqe, që do të ketë pasoja të paparashikueshme ndaj interesave shtetërore dhe nacionale.

Por, ndryshe nga kreu i shtetit, kryeministri Zoran Zaev, në një manifestim, ka dalë në mbrojtje të Marrëveshjes me Greqinë, të cilën e cilësoi si më të mirën të arritur ndonjëherë, e me të cilën, siç tha ai, njëherë e përgjithmonë garantohet identiteti maqedon.

“Me marrëveshjen konfirmohet dhe mbrohet identiteti maqedon. Marrëveshja mbron të drejtën tonë që të përcaktohemi si maqedon… më nuk do të kontestohemi. Sipas nenit 7 të marrëveshjes, identiteti maqedonas pasqyron territorin tonë, gjuhën, popullin, me të gjitha atributet, me historinë, kulturën dhe trashëgiminë. Kjo marrëveshje në tërësi garanton dhe mbron gjuhën maqedonase”, deklaroi Zaev duke bërë thirrje që në referendumin më 30 shtator, qytetarët të dalin dhe në mënyrë masive t’i japim mbështetje marrëveshjes, me të cilën sipas tij, Maqedonia përfundimisht do të hapë rrugën e anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Është koha që Maqedonia të bëjë historinë dhe sa më shpejt të vazhdojnë rrugën drejt të ardhmes më të mirë.. ky është shansi jonë. Përgjigjen duhet ta japim së bashku. Neve na takon të sjellim vendimin. 30 shtatori është dita e përcaktimit të ri historik, është dita kur do të vendosim për ardhmërinë tonë, për të ardhmen tonë në familjen e popujve të Evropës, për të ardhmen tonë në Aleancën më të fuqishme ushtarake”, u shpreh Zaev, duke theksuar edhe mbështetjen e madhe që ka kjo marrëveshje dhe i gjithë procesi eurointegues nga bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe fjalimet e përfaqësuesve të partive tjera politike kryesisht kishin të bëjnë me aspektet politike, si Marrëveshjen me Greqinë për emrin dhe referendumin e 30 shtatorit, nga i cili varet e ardhmja e marrëveshjes. Nëse kalon, atëherë pasojnë ndryshimet kushtetuese me të cilat rrumbullakohet edhe procesi i zbatimit të saj nga Maqedonia./Rel/

Loading...