Zaev harron “krimet e BDI-së”, tash i mbështet për vota

LSDM dhe BDI janë në bisedime për koalicion parazgjedhor, me të cilën parashihet që në disa komuna dy partitë të mbështesin kandidatët e njëra tjetrës. Lajmi për zhvillimin e këtyre bisedimeve ka shkaktuar reagime në opinion, pasi LSDM në komunat e dominuara me shqiptarë mbështet një subjekt për të cilin deri dje kishte akuzuar se janë të korruptuar, kriminalizuar dhe fajtorë për gjendjen në të cilën ndodhet vendi dhe qytetarët.

ZORAN ZAEV, KRYETAR I LSDM-SË (16.06.2016)

“Vazhdojmë që edhe konkretisht ta shpalosim fytyrën e vërtetë të kryesisë së BDI-së. Është e qartë përgjegjësia e tyre për situatën e tmerrshme në Maqedoni, në çdo kuptim. Dhe nga materialet e prezentuara der më tani se asgjë nga ajo që ka bërë Gruevski, nga kriminaliteti dhe korupsioni, deri te shkelja e të drejtave të njeriut nuk ka mundur ta bëjë pa dijen dhe mbështetjen e partnerit të tij të koalicionit BDI”

Zaev gjatë kësaj konference akuzoi BDI-në se ka qenë në dijeni edhe për aferën e përgjimit, ndërsa kryesinë e kësaj partie e barazoi me kryesinë e VMRO-DPMNE-së.

ZORAN ZAEV, KRYETAR I LSDM-SË (16.06.2016)

“Thashë që nga BDI kanë qenë edhe shumë të kujdesshëm kur kanë folur në telefon, që dëshmon se mirë e kanë ditur se përgjohen, por megjithatë, audi inçizimet që do ti dëgjoni tani janë të mjaftueshme për ta shpalosur sundimin e grupit të ngushtë në BDI që për shumë gjëra ngjan në grupin e ngushtë të Gruevskit. Shkak i durimit të tyre në pushtet edhe kur kanë qenë të nënçmuar, dëshmon se qëllimi primar nuk kanë qenë qytetarët, elektorati i tyre, por fuqia, pushtet për interesa personale dhe për para”

Akuzat e këtilla ndaj BDI-së dhe kreut të kësaj partie, Ali Ahmetit, Zaev i përsëriti në disa raste dhe paraqitje publike deri në momentin e formimit të Qeverisë.

ZORAN ZAEV, KRYETAR I LSDM-SË (13.09.2016)

“Hapëm dy bomba nga 34 apo 37 sa i hapëm, ishin për BDI të dyja. Dhe ja publikisht them, kanë qenë të koruptuar edhe pjesa e BDI-së dhe nuk mund të ikin nga kjo. Bashkë me VMRO-në kanë ndarë para, pronësi të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të Maqedonisë. Për paratë e shkreta ka rrëshqitur kjo shoqëri, jo për diçka tjetër, gjithsesi, fuqia për para”

Sipas Zaev, BDI nuk ishte fajtore vetëm për faktin se ka bashkëqeverisur me VMRO-DPMNE-në, por ai ishte edhe më decid kur thoshte se njërëz të BDI-së kanë bërë veprime kriminale njëjtë si disa funksionarë të VMRO-DPMNE-së.

ZORAN ZAEV, KRYETAR I LSDM-së (03.05.2015)

“Ali Ahmeti dhe BDI janë pjesë përbërëse e këtij pushteti dhe kanë vepra joligjore, një pjesë e atyre njerëzve si edhe një pjesë e garniturës së VMRO-DPMNE-së që kanë veprime joligjore dhe kriminale, jo të gjithë, por një pjesë dhe këtë e thash që në fillim”

Përderisa negocion me BDI-në për t’i dhënë mbështetje njëra tjetrës, LSDM shpreson dhe kërkon që shqiptarët të votojnë kandidatët e tyre në Shkup dhe Kumanovë.

Arben Zeqiri / TV Shenja

Loading...