Maqedoni

Zaev nesër në Sofje në takime me Borisovin dhe Radevin

133742084-480x220

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev nesër dhe pasnesër do të qëndrojë për vizitë në Republikën e Bullgarisë. Zaev në Sofje do të takohet me kryeministrin bullgar Bojko Borisov dhe me presidentin Rumen Radev.

Sofja pas Brukselit është destinacioni i dytë që do ta vizitojë Zaevi pas formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë.

Kryeministri i Maqedonisë duke e paralajmëruar vizitën e Bullgarisë këtyre ditëve disa herë theksoi se nga Sofja e cila nga 1 janari i vitit të ardhshëm e merr kryesimin me BE-në, pret bashkëpunim të mirë dhe mbështetje për aspiratat euroatlantike të Maqedonisë. Vizitat në Bruksel dhe vendet fqinje, thotë Zaev, do të thonë aktivitet i përforcuar me ndihmën e miqve nga BE-ja dhe nga fqinjët që Maqedonia të lëvizë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO dhe BE.

Edhe kryeministri bullgar Bojko Borisov, pas zgjedhjes së Qeverisë së re të Maqedonisë, shprehu bindje se Sofja dhe Shkupi do të punojnë për përforcim të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe për afrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.

Pas takimit të javës së kaluar me kancelaren gjermane Angela Merkel, Borisov deklaroi se dëshiron që Maqedonia si shtet fqinj të jetë stabil. “Për këtë arsye e binda kancelaren Merkel dhe të tjerët se duhet t’i japim mundësi Qeverisë së re”, deklaroi Borisov.

Sergej Stanishev, ish-kryeministër i Bullgarisë dhe lider i Partisë Socialiste Bullgare, dhe kryetar aktual i partisë së Socialistëve Evropianë, e vlerëson takimin e nesërm Borisov – Zaev si shenjë të qartë për marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Kjo është vizita e dytë e Zaevit jashtë vendit, pas Brukselit. Shpresoj se do të mbizotërojë mençuria dhe do të nënshkruhet marrëveshja për fqinjësi të mirë, që do t’i rregullojë marrëdhëniet e ndërsjella. Interesi ynë është që Maqedonia të jetë stabile”, deklaroi Stanishev për radion bullgare “Darik”.

Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë Stefan Vodeniçarov, madje, pret që takimi i dy kryeministrave të të ndihmojë që të hapet dera e BE-së dhe NATO-s për Maqedoninë.

“Gjatë muajve të kaluar në Bullgari ishim të shqetësuar për shkak të krizës në Maqedoni. Është mirë që gjërat të kthehen në normale dhe është mirë që BE-ja dhe NATO tanimë po ia zgjasin dorën Maqedonisë – kjo është shenjë shumë e mirë”, thotë akademiku Vodeniçarov për BGNES.

Sipas tij, Bullgaria si kryesues i ardhshëm me BE-në mund ta mbështesë Maqedoninë në rrugën drejt anëtarësimit në Union, ndërsa hapen edhe mundësi për zgjidhje të çështjeve bilaterale të cilat janë ngarkuar gjatë njëzet viteve të kaluara.

“Presim që të nënshkruhet edhe marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe të hapet dera për pranim të Maqedonisë në BE dhe NATO”, deklaroi Vodeniçarov.

Krahas pjesës politike edhe takimet me Borisovin dhe Radevin, është paraparë që delegacioni qeveritar i Maqedonisë i kryesuar nga kryeministri Zaev në Sofje të ketë edhe disa takime afariste.

To Top