Zaev: Para Maqedonisë qëndron mundësia për mbyllje të kapitullit për anëtarësim në BE

Datë për bisedime për anëtarësim në BE është inkurajim i madh dhe motivim për të gjithë qytetarët dhe për vendin, si asnjëherë më parë, qëndron mundësia për kapitull strategjik nga historia e saj bashkëkohore – anëtarësim i plotë në Bashkimin Evropian, theksoi sot kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në Forumin Kran Montana në Bruksel, përcjell Medial.mk.

Siç kumtoi pres-shërbimi qeveritar, Zaev kishte fjalime në sesionin “Evropa Juglindore dhe anëtarësimi i saj drejt Bashkimit Evropian”, ku i ka njoftuar pjesëmarrësit e forumit me përvojat e nënshkrimit të Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit të emrit dhe për partneritetin strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë.

Zaev ka informuar se kompromisi me Republikën e Greqisë, i realizuar në frymën e përvojave më të mira nga e kaluara evropiane, në frymën e dialogut si mënyrë evropiane, i vendosur në zgjidhje, do të vendoset në vendimin final, përsëri në frymën e sjelljeve demokratike evropiane kur bëhet fjalë për vendime të mëdha kombëtare – në referendum në të cilin qytetarët do të deklarohen që emri i ardhshëm i vendit tonë të jetë – Republika e Maqedonisë së Veriut, me identitet maqedonas të përforcuar, të konfirmuar dhe të pranuar ndërkombëtarisht.

Si rezultat i kësaj marrëveshje, ka thënë Zaev, “erdhi edhe vendimi i Bashkimit Evropian, që Republikës së Maqedonisë t’i caktohet data për fillim të bisedimeve dhe për fillimin e fazës së fundit për anëtarësim të plotfuqishëm të vendit tonë në BE”.

“Vendi ynë e meritoi këtë. Ky vendim është shkak i patjetërsueshëm për datën e bisedimeve për Republikën e Maqedonisë, por shkaqet për këtë janë edhe rekomandimet e Komisionit Evropian i cili në prill i dorëzoi Këshillit Evropian rekomandim kristal të pastër dhe të pakushtëzuar, se vendi ynë i plotëson kushtet dhe duhet të marrë datë për hapjen e kapitujve për anëtarësim. Vetëm para 24 muajve, Komisioni Evropian e përshkroi Republikën e Maqedonisë si shtet të robëruar. Term për shtet të kidnapuar nga korrupsioni dhe nga regjimi autoritar. Vetëm një vit më vonë, Komisioni Evropian vlerësoi ndryshime pozitive, proces dinamik të reformave, përfshirje dhe dialog shoqëror, vullnet politik për zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, dhe vizion të shprehur qartë për të ardhmen evropiane”, tha Zaev.

Dallimi me raportin paraprak, sipas kryeministrit të Maqedonisë është drastik.

“Sot, Republika e Maqedonisë është një shoqëri e lirë me një vullnet të dukshëm politik për reformat që mungojnë në të kaluarën”, tha kryeministri Zaev.

Republika e Maqedonisë, theksoi ai do të bëjë gjithçka që të vazhdojë në rrugën e reformave dhe në plotësimin e aspiratave të saj strategjike – anëtarësimin në BE dhe në NATO dhe se zgjerimi i ardhshëm i BE-së në të cilin përfshihet edhe Republika e Maqedonisë, është – në thelb – konsolidimi i Bashkimit Evropian.

“Konsolidimi i BE-së do të jetë i plotë kur të pranojë në familjen evropiane vendet e Ballkanit Perëndimor që do të realizojnë kushtet-nënkuptohet. Ne të gjithë e dimë se nxitja që BE i jep vendeve që negociojnë në këtë fazë të fundit të procesit për anëtarësim – është thelbësor, veçanërisht i fokusuar dhe motivues dhe inkurajues për vendet kandidate për anëtarësim. Para nesh kemi një qëllim konkret. Asnjëherë nuk kemi qenë më afër anëtarësimit në BE”, theksoi kryeministri Zaev.

Në forumin Kran Montana merrnin pjesë kryetarët dhe shefat e qeverive, si dhe personalitete të tjera të njohura nga jeta politike dhe shoqërore në Evropë.

Loading...