Pas akuzave të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski se po i bëhen presione gjykatës për dënimin e tij, kryeministri Zoran Zaev kërkoi nga Gruevski që të mos ankohet por të tregojë se kush është ai që po bën presion që të merren masat për sanksione. Ai tha se përkundrazi deklaratat e tilla si kjo e Gruevskit mund të llogariten si presion ndaj vendimeve të gjykatës.

“Unë e di që të gjitha proceset po zhvillohen në mënyrë transparente pa dallim se për kë bëhet fjalë. Edhe një herë po e konfirmoj pavarësinë e gjykatës. Askush nuk ka të drejtë të parashikojë vendime të bëjë presion ndaj gjykatësve apo diçka të ngjajshme, vetëm kërkoj që të tregojnë se kush është ai, nëse ekziston do të marrim masa për sanksione, e di që nuk ekziston diçka e tillë”, tha Zaev.

Ndërkohë që edhe kryetarja e këshillit të gjykatësve Svetanka Persiq, në deklaratën e dhënë për a1on ka theksuar shkurt se nuk është nën asnjë lloj presioni.

Ndryshe, seanca e nesërme në Gjykatën e Apelit ka të bëjë me ankesën e dorëzuar nga Nikolla Gruevski për dënimin e dhënë nga Gjykata Themelore prej dy vjet burg në lidhje me rastin “Tank” të PPS-së. Në këtë lëndë ai akuzohet për porositjen e blerjes së mercedesit në vlerë prej 580 mijë euro. Ndryshe përveç Periq, në këshillin e gjykatësve janë edhe Zoran Dimitrovski, Tanja Mileva dhe Enver Bexheti. /Tv21

Loading...