Xhevdet Hajredini

Kaluan disa muaj prej se Maqedonia e pranoi dokumentin me konkluzat e Këshillit të Evropës për procesin e Zgjerimit dhe Asocim-Stabilizimit, me të cilat parashihen kushtet që Maqedonia domosdo duhet t’i përmbush që deri në fund të muajit Qershor të 2019-ës t’i caktohet data e çeljes së negociatave për tu integruar në BE.

Në këto konkluza, përveç mbylljes së të gjitha procedurave të lidhura me aprovimin e Marrëveshjes me Greqinë për emrin e shtetit dhe ndryshimin e Kushtetutës, vend të veçantë kanë edhe kushtet tjera që shteti duhet t’i plotësojë brenda të njëjtit afat. Në këto konkluza thuhet:

“Këshilli i Evropës thekson se ky vlerësim i progresit për procesin e zgjerimit të Maqedonisë duhet të përfshijë rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme, duke u fokusuar veçanërisht në:

-reformat gjyqësore dhe hetimet proaktive, padi dhe aktvendimet e formës së prerë në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe në nivel të lartë;

-reforma e shërbimeve të zbulimit dhe sigurisë;

-reforma e administratës publike”.

Fatkeqësisht ekzistojnë arsyet të supozohet se si pengesë e realizimit të këtyre reformave mund të paraqiten ata funksionarë të BDI-së që mbetën në pushtet edhe pse tetë vite bashkëpunuan me Gruevskin dhe njerëzit e tij. Emrat e disa prej tyre janë lakuar edhe në “bombat” e Zaevit ndërsa flitet edhe për funksionarë të tjerë që dëgjohen në bisedat e papublikuara, që tashmë janë dorëzuar te Prokuroria Speciale Publike.

Ka bazë të dyshohet se nuk është rastësisht që me kalimin e kohës në publik rrallë përmenden si kjo pjesë e konkluzave të Këshillit të Evropës, poashtu edhe raporti shumë i rëndësishëm i Rajnhard Pribes, ku u pasqyrua gjendja në të cilën Gruevski bashkë me Ali Ahmetin e futën Maqedoninë, e cila u tejkalua falë ndihmës direkte të bashkësisë ndërkombëtare.

Maqedonia kurrë nuk do të bëhej as anëtare e BE-së, as e NATO-s, sikur të varej nga angazhimi i kreut të BDI-së dhe “liderit historik” të saj të cilët pa as edhe vërejtjen më të vogël mbështetën politikat antiglobaliste, antiperendimore, antiNATO, antiamerikane, antishqiptare dhe proruse.

Nuk është e kuptueshme dhe as e arsyeshme kur Qeveria e Zaevit, zëvendës kryeministrin përgjegjës për eurointegrimet, njëherësh koordinator i procesit të skriningut, ta angazhojë edhe si koordinator të ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë.

Ky zëvendës kryeministër atèherè ka mundur të angazhohet edhe në koordinimin e projektimit dhe ndërtimit të rrugës Tetovë-Prizren dhe të shkollës fillore në fshatin Bllacë, për të zgjidhur problemin e rreth 50 nxënësve që prej moti kalojnë dy pika kufitare që të mësojnë në Han të Elezit, me çka do të “jetësohej ideali” i tyre, siç thonë në BDI.

Nuk është e rastësishme që në veb faqen e Sekretariatin për çështje evropiane, nuk gjendet i përkthyer as në shqip, as në maqedonisht dokumenti me konkluzat për procesin e Zgjerimit dhe Stabilizim Asocimit.

Në këtë mënyrë synohet që sa më pak qytetarë të njoftohen me kushtet të cilat Maqedonia duhet t’i plotësojë. Prandaj, është më se e nevojshme dhe në interes të të gjithë qytetarëve, veçanërisht shqiptarëve, që të njoftohen me këto konkluza.

Zbatimi i konkluzave, veçanërisht nuk i përgjigjet Ali Ahmetit dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.

Po të vazhdonte në pushtet të ishte koalicioni VMRO-BDI, Maqedonia jo vetëm që nuk do të integrohej as në BE, as në NATO , por do të bëhej “fitorja e parë e Rusisë mbi Amerikën”.

Përndryshe, po të zbatohen tërësisht konkluzat e lartë përmendura, Ali Ahmeti me njerëzit e tij, nuk do të mund të evitonin fatin e ish bashkëpunëtorit të tij Nikolla Gruevski dhe ish udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së.

Loading...