Opinione

Zbrapsja e turpshme e “Kryetarit të hekurt”

vebi

Vebi Bexheti

Aventura primitive e Kryetarit kukëll, sot përfundoi në mënyrën më të turpshme. Premtimi i tij para organizatorëve të protestës banditeske, që më 27 prill mori edhe përmasë terroriste, se asnjëherë nuk do ia japë mandatin kandidatit dhe koalicionit që në programin e qeverisë së tyre paskan futur ,,Platformën e Tiranës”, përnjëherësh u shkri si fluskë sapuni. Ky njeri që ushtron detyrën e Kryetarit të shtetit, me veprimet e veta ,,patriotike”, dhe vendosmërinë se kthim prapa s’ka, e dëshmoi botërisht se ai është vetëm silueta e shefit të vet partiak, Gruevski i cili nga kjo baltë ku kishte hyrë bashkë me partinë e tij, u tërhoq i pari, pasi i ndërseu hijenat që kërkonin kokën e Ziadin Selës dhe disa të tjerëve, në mesin e të cilëve viktimë ishte edhe lideri i LSDM-ës. Arsyetimi i haxhi pishmanit se mandatari i ri i paska garantuar se nuk do e cënojë karakterin unitar të shtetit dhe se e ashtuquajtura Platformë e Tiranës nuk do të jetësohet gjatë qeverisjes së koalicionit të ri, është një arsyetim bajat dhe pa asnjëfarë mbështetje, kur dihet se me çështjet politike merren partitë politike e jo Kryetari i shtetit. Kjo zbrapsje me turp e Ivanovit, me gjithë rrahjen e gjoksit se vetëm ai dhe partia e tij po e mbrojnë shtetin, përveç ,,krehjes së veshit” nga Zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-ve, erdhi edhe nga këmbëngulësia e shumicës së re parlamentare, se qeverinë e re do e formojnë edhe pa aminin e tij. Partitë politike shqiptare, me gjithë këtë skenar të përgjakur dhe aktrimin e turpshëm në skenën tragjiko-komike, të quajtur Parlament, duhet të qëndrojnë të paluhatshëm në kërkesën e tyre, përndryshme, e tërë kjo që ngjau nën dirigjimin e VMRO-së, liderit të tyre, Ivanovit dhe ish kryeparlamentarit, nga qarqe ekstreme antishqiptare, do konsiderohej sukses dhe ngadhnjim mbi partitë politike shqiptare. Këkesat e shqiptarëve janë legjitime, reale dhe e drejtë e patjetërsueshme demokratike. Zaevi, që këtë mandat qeverisës e ka nga shqiptarët e jo nga Ivanovi, është i vetëdishëm për këto kërkesa, me gjithë ,,garancat”që i dha të ashtuquajturit kryetar të shtetit. Për mandatarin e ri, realizimi i kërkesave të shqiptarëve nuk është kafshatë e lehtë, ashtu siç nuk është aq lehtë t’jua kthejë shpinën atyre që ia mundësuan formimin e shumicës së re dhe largimin e Gruevskit nga qeverisja e vendit. Kjo sfidë e re për shqiptarët dhe partnerin e tyre të koalicionit, është sprovë për seriozitetin në harmonizimin e veprimit politik të partnerëve qeverisës. Zaevi dhe LSDM, pa përkrahjen e partive shqiptare, shumë shpejt mund të rrezikohet nga VMRO-ja e fuqishme opozitare, prandaj kërkesat e shqiptarëve nuk mund të injorohen aq lehtë, sidomos ato për të cilat mjaftojnë votat e shumicës së thjeshtë. Për qëndrueshmërinë e koalicionit të qeverisë në formim e sipër, gjithsesi do luajë rol edhe harmonizimi i veprimit politik të faktorit ndërshqiptar, që assesi nuk guxojnë të jenë kundër interesave të votuesve të vet. Le të shpresojmë se partitë shqiptare , që për momentin të lënë përshtypje se qeverisjen e kanë kuptuar si sakrificë e jo komoditet, kësaj radhe më tepër do punojnë për kombin se sa për vete, ashtu qoftë!

To Top