Zbulohet paga marramendëse e kryeministrit, Kushtetuesja nuk gjen asnjë shkelje

Sapo është publikuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për vendimin e Qeverisë për ngritjen e pagave të zyrtarëve qeveritarë. Gjykata Kushtetuese konstaton se nuk ka shkelje në vendimin e Qeverisë për ngritjen e pagave, ku paga e Haradinajt do të jetë 2950 euro.

Më poshtë gjejeni të plotë aktgjykimin:

KO12/18, Parashtrues: Albulena Haxhiu dhe 30 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të

Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 04/20, të 20 dhjetorit 2017

KO12/18, Aktgjykim i miratuar më 29 maj 2018, publikuar më 11 qershor 2018

Fjalët kyç: kontroll abstrakt, kërkesë institucionale, ndarja e pushteteve, kompetencat kushtetuese, implikimet buxhetore, konflikti i interesit, barazia para ligjit

Parashtruesit e kërkesës e kanë dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së Vendimit të Qeverisë, nr. 04/20. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se vendimi i cekur më lart nuk është në pajtueshmëri me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 7 [Vlerat], 65 [Kompetencat e Kuvendit], 92 [Parimet e Përgjithshme] dhe 93 [Kompetencat e Qeverisë], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës Gjykata Kushtetuese e deklaroi kërkesën të pranueshme për shqyrtim pasi konstatoi se çështjet e ngritura në kërkesë janë të kompleksitetit të tillë, sa që përcaktimi i tyre duhet të varet nga shqyrtimi i meritave dhe se kërkesa nuk mund të konsiderohet si qartazi e pabazuar brenda kuptimit të rregullit 36 (1) (d) të Rregullores.

Pas shqyrtimit të pretendimeve dhe të argumenteve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata Kushtetuese theksoi: (i) nuk është dëshmuar se vendimi për rritjen e pagave përbën çështje të nivelit kushtetues; (ii) bazuar në argumentet e paraqitura, nuk rezulton se Kuvendit i është cenuar apo pamundësuar ushtrimi i kompetencave të tij kushtetuese për miratimin dhe zbatimin e buxhetit shtetëror; (iii) për sa i përket konfliktit të interesit se nuk është brenda funksionit të Gjykatës që të vlerësojë pretendimet për shpërputhjen e vendimit të kontestuar me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, sepse ajo çështje bie nën juridiksionin e organeve të tjera të përcaktuara me Kushtetutë; dhe (iv) për sa i përket shkeljeve të neneve 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës, parashtruesit nuk kanë paraqitur fakte bindëse se pagat e parapara në Vendimin e kontestuar trajtojnë ndryshe pozita ose situata të ngjashme dhe nëse ky ndryshim në trajtim nuk ka ndonjë justifikim objektiv dhe të arsyeshëm. Gjykata, më tej shtoi se nuk është brenda fushëveprimit të saj që të vlerësojë apo të zëvendësojë politikat publike të përcaktuara nga organi legjislativ apo ekzekutiv. Parimi i ndarjes së pushteteve detyron Gjykatën Kushtetuese që të respektojë përcaktimin e politikave nga organet gjegjëse kushtetuese. Vendimet themelore të politikëbërjes për qeverisjen e vendit duhet të merren nga organet kushtetuese me legjitimitet demokratik, përkatësisht nga Kuvendi dhe Qeveria. Ato organe – për shkak të natyrës së tyre dhe të legjitimitetit demokratik – janë në pozitë më të mirë se sa Gjykata Kushtetuese për të përcaktuar dhe për të avancuar politikat buxhetore, ekonomike dhe sociale të vendit.

Në këtë drejtim, Gjykata Kushtetuese konsideroi se parashtruesit e kërkesës nuk kishin paraqitur prova bindëse për të mbështetur pretendimet e tyre se Vendimi i kontestuar i Qeverisë ka prodhuar efekte kushtetuese, në kuptim të cenimit të kompetencave kushtetuese të Kuvendit, apo shkelje të ndonjë dispozite kushtetuese, ashtu si pretendonin parashtruesit e kërkesës. Megjithatë, Gjykata vuri në dukje se aktet nënligjore të Qeverisë duhet të jenë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me ligjet. Për më tepër, Gjykata theksoi se, në përputhje me natyrën ekzekutive të kompetencave të saj kushtetuese, Qeveria është e detyruar të implementojë buxhetin shtetëror, të miratuar nga Kuvendi. Andaj, është obligim i Qeverisë që zbatimin e Vendimit të kontestuar ta mbështesë në ndarjet buxhetore të përcaktuara në Buxhetin e vitit 2018 dhe në ligjet përkatëse.

Në fund, Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113. 2 (1) dhe 116. 2 të Kushtetutës, të neneve 27 (1), 29 dhe 30 të Ligjit dhe në mbështetje të rregullave 29, 54, 55 dhe 56 (1) të Rregullores së punës, konstatoi se Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 20/14, i 20 dhjetorit 2017, nuk është në kundërshtim me nenet e pretenduara të Kushtetutës. /Express/

Loading...