Petrit Selimi, shefi i fondacionit të Sfidave të Mileniumit (MCC) në Kosovë, duket se lidhjet me njerëzit që dikur i bashkonte partia, PDK-ja, i ka ende të forta.

Si anëtar i PDK-së, derisa ushtronte poste në institucione qeveritare, Selimi ishte shumë i zëshëm në mbrojte të shefave të tij, gjegjësisht të Hashim Thaçit kur ky i fundit udhëhiqte me PDK-në e me Qeverinë.

E një postim i fundit në Twitter dëshmon se Selimi lidhjet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i ka ende shumë ngushta – kjo për faktin se, pa dashje, ai zbuloi se ia shkruan edhe postimet presidentit, pavarësisht se zyrtarisht s’është pjesë e kabinetit të tij.

Një ditë para takimit në Bruksel me Thaçit e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Selimi ka shkruar postimin e destinuar për llogarinë zyrtare të Thaçit në Twitter, gabimisht në llogarinë e vet, po në rrjetin social Twitter, raporton Koha.net.

“Në rrugë për në Bruksel për një takim tjetër të vështirë me homologun tim nga Serbia, por një takim i domosdoshëm për të arritur marrëveshjen finale, gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm kjo hap perspektivën e Bashkimit Evropian për shtetet tona dhe siguron anëtarësimin në Kombet e Bashkuara për Kosovën”, është postimi që ishte bërë në llogarinë e Selimit në orën 16:22.

Megjithatë, ai postim nuk është më aty, por gjysmë ore më vonë shihet se i njëjti është publikuar në llogarinë e Thaçit.

Koha.net ka provuar të kontaktojë me Selimin, por ai nuk ishte i qasshëm në thirrjet telefonike.

Portali ka provuar të kontaktojë edhe me presidencën, por, edhe përkundër dërgimit të pyetjeve me email, ata nuk janë përgjigjur.

Kujtojmë se në vitin 2015, kur pati marrë pozitën e koordinatorit nacional në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, Selimi ishte dashur të dorëhiqej nga pozita e zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës.

Loading...