“Zero probleme me fqinjët”, reçeta për rrugëtimin drejt eurointegrimeve

Kusht i rëndësishëm për inkuadrimin në strukturat e Unionit Evropian është heqja e problemeve ndërfqinjësore, kështu mendojnë njohësit e rrethanave politike. Ata rekomandojnë rregullimi i këtij problemi të jetë prioritet i Qeverisë së re, duke shtuar se ky stabilitet ndërfqinjësorë duhet të mbizotërojë edhe në rrafshin ekonomik.

Deniz Memedi, politikolog, thotë se Qeveria reformatore në kuadër të politikës së jashtme duhet që ta praktikojë konceptin e “zero probleme me fqinjët”.

“Përgjatë gjithë viteve kemi një zhagim të problemeve gati se me të gjithë shtetet fqinje përreth e që assesi të tejkalohen. Shefi i diplomacisë Dimitrov së bashku me kryeministrin Zaev sikur duket se i kanë dhënë sinjalet e para për normalizim të raporteve me shtetet sikur Greqia dhe Bullgaria” deklaroi për Lajm Memedi.

Ai përkujton se ndër rekomandimet kryesore të Unionit Evropian është krijimi i një ambienti pozitiv me shtetet fqinje ku do të ketë hapësirë bashkëpunimi në fusha të ndryshme me qëllim të krijimit të pozicioneve win-win në të dyja palët.

“Në rast se momentet historike të hidhura i marrim si referencë për të ardhmen atëherë edhe më tutje do të vazhdohet të kultivohet urrejtja ndaj fqinjëve. Përkundrazi qeveria aktuale duhet t’i lenë anash historitë e këtilla dhe duhet t’i qaset hapave pragmatikë, që do të jenë të dobishme për shtetin dhe qytetarët e saj, e ajo është krijim i një klime të normalizimit të raporteve dhe hapjen e rrugës së bashkëpunimit”, përfundoi Memedi.

Nga këndvështrimi i gazetarit Xhenur Iseni, Maqedonia nuk ka të ardhme nëse vazhdon avazin e vjetër të Qeverisë së kaluar duke mbjellur urrejtje ndërfqinjësore.

“Si kusht për anëtarësim në BE është që Maqedonia t’i rregulloj raportet ndërfqinjësore dhe krijimit të një stabiliteti ekonomik dhe bashkëpunim ndërkufitar mes tyre. Domosdo horizontet e bashkëpunimit ndër fqinjësor midis vendeve të Ballkanit e veçmas me Maqedonisë duhet të zgjerohen përmbajtësisht në rrafshin e rrjetëzimit institucional, të cilën gjë e imponon edhe suaza e re brenda së cilës do bëjë rrugë tutje dinamika evropiane e integrimeve të Ballkanit në këtë mes edhe integrimi gjeopolitik i shqiptarëve”, pohoi Iseni.

Ai është i mendimit se Qeveria e tanishme duhet të mendoj të zhvilloj një mbledhje të përbashkët qeveritare me Kosovën e Shqipërinë, natyrisht pasi këta të fundit të formojnë Qeveritë e tyre.

“Sa i përket Bullgarisë e Greqisë, tanimë janë bërë hapat e para për uljen e mosmarrëveshjeve “urrejtjes ndër fqinjësore”, me çka vizitat e krerëve më të lartë shtetëror të Maqedonisë në Greqi e Bullgari u përshëndetën edhe nga Faktori Ndërkombëtar”, përfundoi Iseni.

Ndryshe, etë nga dhjetë qytetarë të Maqedonisë në ndonjërin prej shteteve tona fqinje njohin armikun ndaj vendit tonë, dhe për atë se sa marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë të rëndësishme për Maqedoninë, 58.4 për qind janë përgjigjur se janë “shumë të rëndësishme”. Rezultate të këtilla ka dhënë sondazhi i Tv Telma dhe MCMS i realizuar përmes telefonit nga “M-Prospekt” në periudhën prej 27 qershor deri më 3 korrik në grupin prej 1.000 të anketuarve. Sondazhi ka treguar se qytetarët e Maqedonisë simpatitë më të mëdha i kanë ndaj Serbisë dhe 44.3 për qind janë përgjigjur se pikërisht ky fqinj i ynë është i prirë armiqësisht ndaj Maqedonisë. Ndjenja më të pakta kanë ndaj Shqipërisë 14.8 për qind dhe Bullgarisë 11.2 për qind. Nuk është për tu injoruar as edhe përqindja e atyre të cilët janë përgjigjur se asnjëri prej fqinjve nuk ka orientim miqësor ndaj nesh. Madje 17.9 për qind e të anketuarve kanë mendimin e këtillë. Sondazhi tregoi edhe rezultatin e pritshëm në lidhje me pyetjen se cili fqinj ka disponimin më armiqësor ndaj Maqedonisë. Duke patur parasysh bllokimin në integrimin euroatlantik për shkak të kontestit me emrin, Greqia është në krye të listës së fqinjëve me disponim më armiqësor me 59 për qind, ndërsa shumë larg pas saj janë Shqipëria me 11.3 për qind dhe Serbia me 5.7 për qind. Madje 10 për qind nuk konsiderojnë se ndonjëra prej vendeve fqinje ka orientim armiqësor ndaj Maqedonisë.

Vetëm 3.1 për qind e të anketuarve konsiderojnë Bullgarinë vendin me orientimë më armiqësor ndaj Maqedonisë. Kur bëhet fjalë për Bullgarinë nga përgjigjet e ofruara të pyetjes: Cila është pengesa për bashkëpunim më intensiv mes të dyja vendeve? Madje 30.5 për qind konsiderojnë interesat e ngushta partiake të liderëve të të dyja palëve janë pengesë për atë. Thuajse identike është përqindja e atyre që janë përgjigjur se interpretimi i ndryshëm i historisë është pengesë, me ata që konsiderojnë se me Bullgarinë ekziston armiqësi historike – 24 për qind. Madje 80.2 për qind janë përgjigjur se është jashtëzakonisht e rëndësishme të nënshkruhet Marrëveshje për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Se marrëdhëniet me Bullgarinë janë të përmirësuara në krahasim me para pesë viteve konsiderojnë 20.2 për qind. 27.1 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se marrëdhëniet nuk janë përmirësuar me asnjërin prej fqinjëve. Qytetarët më pak paragjykime kanë ndaj Bullgarisë, edhe atë 4.7 për qind, ndërsa më shumë paragjykime kanë ndaj Greqisë, madje 41.5 për qind, pastaj ndaj Shqipërisë 21.5 për qind dhe ndaj Kosovës dhe Serbisë me nga mbi 7 për qind. Ata më së miri njohin historinë dhe kulturën e Serbisë, madje 47.4 për qind, pastaj të Shqipërisë – 16.5 për qind, ndërsa të Bullgarisë 8.3 për qind. Madje 13.7 për qind janë përgjigjur se nuk njohin historinë e asnjërit prej fqinjëve tanë. Për deklaratën se “të gjitha vendet e rajonit në mënyrë të konsiderueshme ndajnë historinë dhe kulturën e përbashkët”, pozitivisht janë përgjigjur 41.6 për qind, ndërsa negativisht 58.3 për qind.

Loading...