Zgjedhjet e reja, mashë e VMRO-së për ta mbuluar dështimin e formimit të Qeverisë

VMRO-DPMNE ka hapur front me faktorin ndërkombëtarë pas dështimit që të formojë Qeverinë. Nga partia kërkojnë që faktori ndërkombëtarë të jetë më i qartë se çfarë kërkon ose të shkohet në zgjedhje. Analistët përjashtojnë alternativën për zgjedhje të parakohshme, sepse sipas tyre, vetëm VMRO-DPMNE-së i konvenojnë zgjedhje të reja.

Platforma shqiptare duhet të jetë arma më e fortë të cilën duhet ta përdorin partitë politike shqiptare, në këtë kaos politik, rekomandojnë njohësit e çështjeve politike.

“Unifikimi i partive shqiptare rezultoi si i suksesshëm vetëm nga fakti që Gruevski më nuk mund të bëhet kryeministër, tha për Gazetën Lajm politologu Xhenur Iseni.

Sipas tij, situata tani është shumë e qartë, ai i cili formon shumicë parlamentare, Presidenti Ivanov domosdo e ka që t’i dorëzoj mandatin të njëjtit, konkretisht Zoran Zaevit.

“Partitë shqiptare njëjtë sikur më parë, edhe tani nuk duhet që ti ndryshojnë pozicionet, por tani është më lehtë sepse sidomos kur është në pyetje PSP, me çka është e garantuar gjuha e përbashkët për këtë çështje. Zgjedhje të parakohshme nuk duhet të ketë sepse kjo do ju konvenoj vetëm VMRO-DPMNE-së, sepse sipas tyre nëse nuk janë në pushtet përfundon bota. Andaj tani çdo parti shqiptare e cila do ta drejton politikën apo kalkulimet drejt këtij qëllimi, nga opinioni konsiderohet si mashë e VMRO-së për ta shpëtuar Gruevskin. Shqiptarët e dhanë mesazhin më 11 dhjetor, humbën deputet por nuk humbi fuqia politike. Andaj ta ruajmë dhe ta materializojmë këtë fuqi politike pa shkuar në zgjedhje të parakohshme që do ti konvenonin vetëm VMRO-së”, deklaroi Iseni.

Xhelal Neziri, analisti politik dhe gazetar, kujton se zgjedhjet e reja do të duken të mundshme vetëm nëse VMRO-DPMNE siguron shumicë deputetësh që do të votonin këtë propozim.

“Vetëm parlamenti mund të shpallë zgjedhje të reja, por tani VMRO-DPMNE nuk e ka shumicën e duhur. Për të arritur te kjo shumicë duhet të votojë edhe BDI-ja, ose t’i bindë deputetët e Besës, ASH dhe PDSH-së që ta përkrahin propozimin. Të dy variantet duken se janë vështirë të mundshme. Nëse VMRO-DPMNE nuk arriti të sigurojë shumicë për të formuar qeverinë, edhe më pak janë gjasat të sigurojë shumicë për zgjedhje të parakohshme. Aq më pak kur ato zgjedhje nuk u konvenojnë asnjërës nga partitë tjera, bile as BDI-së. Partitë shqiptare duhet të veprojnë pa emocione dhe me arsye me qëllim që të mos jenë shkaktarët e incidenteve që mund të rrezikojnë stabilitetin e vendit, e që nuk janë në interes tonin. Duhet ta kenë të qartë se Maqedonisë i nevojiten ndryshime, të cilat duhet të menaxhohen pa poentime politike dhe me një përgjegjësi prej burrështetasve”, theksoi për Gazetën Lajm Neziri.

VMRO-DPMNE ka hapur front me faktorin ndërkombëtarë pas dështimit që të formojë Qeverinë. Nga partia kërkojnë që faktori ndërkombëtarë të jetë më i qartë se çfarë kërkon.

Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov zhvilluar takime dhe “konsultime me institucione dhe përfaqësues të partive politike”. Lideri i LSDM në konferencën e fundit i bëri me dije presidentit Ivanov se tani radha është e LSDM-së për të tentuar ta formojë Qeverinë.

Loading...