Familja Mana banon në fshatin Librazhd Katund. Nazmie Mana, e cila njihet edhe me emrin Nexhmie Mana, është nënë e 4 fëmijëve, tre djem dhe një vajze. Brislida është më e madhja prej fëmijëve.. Bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë dy vjet më parë nga infarkti.

Familja është e varfër për shkak se një nënë e vetme është duke mbajtur 4 fëmijë të cilët që të gjithë janë në shkollë. Siç tregon edhe vetë, shet ndonjë kokërr vezë që të rrisë dhe edukojë fëmijët, pasi fshati ku banojnë nuk u jep mundësi për të fituar.

Në një rrëfim për “Shekullin”, Nazmija tregon se çfarë ka ndodhur me vajzën.
“Ishte e premte. Iku në shkollë si zakonisht. Atë ditë unë shkova në spital pasi kisha njërin nga djemtë sëmurë. Ajo kishte mbaruar shkollën, dhe ka shkuar në shtëpi. Është ndërruar, ka marrë disa plaçka të tjera dhe i ka thënë vëllait se po shkonte në Librazhd pasi kishin një mbrëmje.

Që nga ai moment nuk e ka hapur më celularin. Kur u ktheva në shtëpi dhe pyeta se ku është më thanë se ka ikur në mbrëmje. I rashë celularit por ajo nuk e hapi. Zija shkonte po ajo nuk e hapte. I rashë disa herë, prapë nuk e hapi. U shqetësova shumë dhe mora udhën për në Librazhd. Shkova direkt në polici ku bëra një denoncim. Aty e mori edhe shefi në syrin tim. I ra zilja, po prapë se hapi. Pastaj e fiku fare. I dërgova masazh dhe e ka marrë pasi më rezulton se mesazhi është nisur. Pra ajo e ka celularin por nuk e hap ose dikush nuk e lejon që ta hapë”, shprehet e ëma.

Nazmia tregon se po bën sakrificë të madhe që të rrisë dhe arsimojë fëmijët.

“Kam tre djem dhe vajzën. Burri i la jetimë para dy vjetësh. Ai vdiq nga infarkti. Gjatë këtyre dy viteve vetë e di se çfarë po heq.

Shkoj në pazar, shes ndonjë kokërr vezë që të blej ushqime”.

Duke qenë e vetme edhe nënë edhe baba, Nazmia tregon se edhe e ka qortuar vajzën. E pyetur nëse është grindur ndonjëherë apo edhe e ka rrahur ajo shprehet: Po e kam qortuar për të mirë. I kam thënë që të mos shoqërohet me njerëz të këqinj. Të hapë sytë se mos futet në rrugë të keqe. Kjo është normale për çdo nënë. Aq më tepër për atë që nuk ka baba dhe vëllezërit i ka të vegjël. Por nuk e kam rrahur. As atë ditë nuk i kam thënë asgjë. Ka ikur krejt papritur”, thotë ajo.

Nëna ka vazhduar kërkimet private për vajzën.

“Shkova në gjimnaz, pyeta mësuesit shokët dhe shoqet. Ata më thanë se ishte vajzë shumë e rregullt. Se nuk e kanë parë të shoqërohet me ndokënd. Edhe unë vetë mbaja kontakte me mësuesen kujdestare dhe nuk kishte konstatuar asgjë. I thashë shoqes nga Miraka: vetëm më trego se nuk do të ketë asnjë pasojë. Çfarë ka, se mos dinte ajo ndonjë gjë. Por edhe ajo nuk kishte asnjë dijeni për vajzën”.

Nazmie Mana është mjaft e shqetësuar. Ajo mendon se vajza mund të përdoret për qëllime të këqija, ka frikë për shëndetin e saj se mos e kanë rrëmbyer dhe i bëjnë presion, se mos duan ta trafikojnë etj.

“Nuk di ç’të them.. Vetëm një nënë e di çfarë përjeton kur i zhduket fëmija. Kam shumë frikë. Më tremb fakti se mund ta kenë futur në rrugë të keqe, se mund ta trafikojnë, apo më keq akoma mos është në rrezik për jetën. Policia po kërkon gjithandej, por nuk e ka gjetur. Kërkoj edhe ndihmën tuaj që të gjej vajzën. Ia kam falur të gjitha nëse ka ikur me dëshirë. Vetëm të di që është mirë e të kthehet në shtëpi”, përfundon ajo.

Policia e Librazhdit ka në dispozicion foton e vajzës dhe e ka shpërndarë në komisariatet fqinjë dhe në pikat kufitare. Deri më tani nuk ka asnjë shenjë për Brisilda Manan.

17918097_201235067035810_1594666067_n_1 xhesi1_1492100601-7779547

Loading...