Zhvillimet në “Vetëvendosje” në Kosovë dhe te “Besa” në Maqedoni

HALIM HYDA

Bota merret me diçka që është shumë më me vlerë për shoqërinë me kahjet e zhvillimit të shpejtë të shkencës, artit, kulturës dhe teknologjisë së përgjithshme. Presionet e ndryshme në këtë drejtim janë gjithnjë në rritje. Punohet në trend dhe me hapa të shpejtë në përfitimin e njohurive të reja dhe transformimin e një bote diverse, në një botë të re me vlera dhe konkurrente në integrim dhe globalizim.

Politikbërja kërkon vlera më të larta dhe më të shëndosha në vijën kombëtare dhe kualitete të reja në shoqëri. Këtyre ditëve në media në gjuhën shqipe një përfaqësues i qeverisë e përmendi se Maqedonisë i kushton shumë inkuadrimi në Aleancën Veriatlantike?! Çka donë të thotë kjo?!

Zhvillimet e përgjithshme shoqërore siç shihet në këtë pjesë të Ballkanit gjithnjë e më tepër po marrin kahjen e kthimit në rrugën e integrimeve euro-atlantike, por përsëri ka paraqitje të elementeve destruktive që iu pengon stabiliteti i këtij rajoni dhe eurointegrimet.

Fenomeni shqiptar dhe ai i subjekteve politike më gjerë, me zhvillimet në “Vetëvendosje”-n në Kosovë dhe ai në “Besë”-n e Maqedonisë, është i çuditshëm. Nga ajo që shihej në paraqitjet e tyre publike vërehej një unitet i lartë dhe koordinim konstruktiv mes tyre, që ishte për t’u marrë si shembull i punës për të mirën e kombit. A thua, problemi qëndron në atë se sa është punuar nga brenda apo nga jashtë për të arritur deri në këtë pikë të ndarjes, apo problemi është në bashkimin e grupeve të ndryshme me ideologji dhe koncepte krejtësisht të kundërta mes tyre?!

Problemi kryesor ndoshta qëndron në proceset zgjedhore brendapartiake. Nuk dihet nëse partitë aktuale e kanë kaluar këtë test shumëdimensional, ku do të filtroheshin orientimet dhe dimensionet e veprimit. Zgjedhjet partiake duhet të konsiderohen gjithnjë e më shumë si një strukturë që duhet të hulumtojnë dhe të punojnë në përshtatjen, përpunimin dhe përmirësimin e dilemave, koncepteve dhe formulimin e një ideologjie të përbashkët në radhët e tyre dhe ngritjen e tërë procesit shoqëror dhe në mënyrë permanente të bëhen ndërrime dhe ndryshime në kontekst të ngritjes së vlerave më të larta, por pa dyndje dhe përçarje.

Kahjet e zhvillimit të proceseve shoqërore dhe të ndryshimeve duhet të pasojnë pas ndryshimeve partiake, por jo me aq bubullima të mëdha ku ndarja merr përmasa të mëdha dhe ndryshimet pozitive shoqërore i vë në pikëpyetje, siç është rasti me “Vetëvendosjen” në Kosovë. Kurse “Besa” në Maqedoni e dobëson faktorin opozitë konstruktive.

Duhet të organizohen zgjedhje të drejta dhe të pastra përmes votimeve të fshehta në taborët partiake. Partitë politike për të qenë në nivel dhe për t’i shërbyer popullit, shoqërisë dhe më gjerë, atyre doemos iu duhet një orientim i ri, reformim i plotë. Duhet të organizohen ndryshime rrënjësore dhe të udhëhiqen nga kuadro të arsimuara, të ngritura me nivel, përvojë dhe cilësi të lartë kualitative, profesionistë të dëshmuar në profilet dhe departamentet e tyre, dhe të zhvillojnë jo vetëm kompetencat në proformë, por edhe sensin profesional teknik, shoqëror dhe moral që të dallohen në mesin e tyre dhe nga rrethi më i gjerë. Kurse tek ne çka ndodh e kundërta e vlerave të mirëfillta, mblidhen në taborët partiake dhe çdo ditë me të madhe vërehet rënia e vlerave. Në radhët e partive tona nuk ka shenja për përmirësim në kontekst pozitiv që është bazë dhe themel i  suksesit, avancimit, ngritjes dhe kthimin e shoqërisë në suaza normale.

Proceset e reja në shoqëri duhet të konsiderohen si nxitëse për një zhvillim më të shpejtë ekonomik, kulturor, shkencor. Ato duhet të orientohen dhe nuk do të dështonin, vetëm nëse do të kenë për qëllim ngritjen dhe përfshirjen e gjeneratave të reja për t’u reformuar, ngritur dhe për të përgatitur qytetarë të denjë dhe të drejtë me moral të lartë dhe bazë të shëndoshë kombëtare, profesionale me kulturë të përgjithshme, të hapur dhe tolerantë në mesin e tyre dhe ndaj të tjerëve.

Premtimet me dekada për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, kërkojnë më shumë angazhim dhe konkurrencë në të gjitha lëmit e zhvillimit të jetës dhe shoqërisë, në sektorët e ndryshëm ekonomik, juridik, administrativ. Duhet të rritet kërkesa për ristrukturimin e gjithë sektorëve të administratës, gjithashtu duhet të ngritët edhe kërkesa e burimeve njerëzore për të siguruar një trajnim të kënaqshëm, solid, fleksibil dhe për t’iu përshtatur kërkesave dhe ndryshimeve të imponuara nga BE si dhe nga situata aktuale dhe koha me termine të caktuara sipas kërkesave specifike të komunitetit evropian.

Zhvillimet në disekuilibrimin midis sistemit arsimor dhe tregut të punës, që prek kryesisht një numër të madh të moshave të reja, është rezultat i dobët i organizimit të gjertanishëm, të sistemit arsimor, të dobësive në programet dhe kurrikulat mësimore.

Ndryshimet që duhet të pasojnë në shoqëri dhe që duhet t’i sendërtojmë, nuk duhet vetëm të ruajnë dhe ngritin kureshtjen intelektuale, por edhe t’i aftësojnë për punë produktive, praktike dhe profesionale, me kompetencë të lirë dhe të pavarur që të jenë konkurrentë jo vetëm te ne por edhe në tregun e BE-së.

Një gjë është shumë e sigurt, se masa e gjerë e njerëzve që i bashkëngjitet partive politike është e sinqertë dhe nuk duhet të lidhen shumë për individ të caktuar që i kontribuojnë ndarjes për të vetmin qëllim për të ardhur vetë në shprehje zgjedhja e tyre.

 

Nga ky këndvështrim, populli shqiptar në Maqedoni ka kaluar një histori të hidhur që nga janari i vitit 1994 me PPD-në, më pas dy herë me PDSH-në, dhe tani me Besë-n.

Si asnjëherë më parë, “elitat” politike duhet të marrin mësim dhe të dëshmojnë pjekurinë politike dhe përvojën në analizat e gjertanishme, që të vendosin të marrin vendime për njerëzit e zgjedhur për t’u prirë proceseve, meqë çdokush nuk e ka vendin në politikë!

 

 

Loading...