Tabela tregon se punimet në kufirin Bellanoc-Stanciq, do të duhet të përfundojnë në fund të vitit 2018.

Por në fakt ende shumë punë kanë ngelur deri në finalizimin e kufirit. Gurthemeli është hedhur para dy muajsh nga zyrtarët e Bashkimit Evropian si dhe nga dy qeveritë, ajo e Maqedonisë dhe Kosovës.

Ylli Osmani, inxhinier i projektit të kufirit, thotë se punimet janë ndërprerë për arsye të rrëshqitjes së dheut. Punëtorët duhet të presin së paku edhe tri javë deri sa të caktohet se çfarë do të ndodhë më tej.

“Rrëshqitjet siç shihen në pjesën e kodrave, shkaktojnë pasiguri në ndërtimin e objektit si dhe në punimet e tjera që do të bëhen. Firmat e kontraktura nga BE-ja si dhe nga vetë ana ofertuese e projektit, kanë marrë mostrat të cilët javën e kaluar janë bërë ku janë bërë tri shpuarje nga 30 metra, si dhe janë hapur dy gropa për marrjen e materialeve dhe këto shpuarje do të tregojnë saktësisht se çka do të ndodhë në të ardhmen për t’i vazhduar punimet tjera”, tha Ylli osmani, Inxhinier.

Të pakënaqur me këto zvarritje punimesh janë qytetarët e kësaj zone.

“Fillimin e kanë filluar, por për dy muaj asgjë nuk është punuar, vetëm dy gropa janë bërë edhe nuk ka makineri, vetëm dy punëtorë aty rrinë. Apeli im është sa më shpejt të hapet kufiri, jemi duke pritur, rrugët janë ndërtuar e për një kufi s’duhet me prit”, u shpreh banori i Bellanocës.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, thotë se këto momente në terren pritet të kalohen dhe se shumë shpejt do të kryhen analizat.

“Punët janë në vijim e sipër, ju e dini se projektin e financon Bashkimi Evropian në Kosovë. Ata kanë angazhuar një kompani nga Shqipëria, e cila gjatë punimit ka konstatuar se ka disa momente në terren të cilët janë të buta për ndërtim dhe po bëjnë verifikim shtesë të tokës, nëse e keni parë vendin ku po ndërtohet objekti i përbashkët kufitar, është terren i vështirë gjeografik dhe po bëhen disa verifikime shtesë dhe analiza që të vazhdohet me punë. Punëtorët po presin aty, por presin analizat e terrenit për vazhduar me të njëjtin projekt”, tha Bujar Osmani, Zv/kryeministër.

Projekti për rregullimin e kufirit është donacion i Bashkimit Evropian dhe kostoja financiare e rregullimit të tij kap shumën 1.2 milionë euro.

Përgatiti: Z. Jashari / TV21-M

Loading...