Pas largimit të Cristiano Ronaldos gjatë afatit kalimtar të verës, Karim Benzema është i lumtur që tani e ka marrë përgjegjësinë për të qenë lider i Real Madridit në fazën e sulmit.

Sulmuesi e ka ngritur nivelin e tij këtë sezon, pasi Ronaldo u transferuar në Juventus, për 112 milionë euro, në fund të sezonit të kaluar, transmeton Gazeta Express.

Francezi zbuloi se kishte luajtur në mënyrë shumë më pak egoiste gjatë kohës kur pjesë e skuadrës së “Los Blancos” ishte edhe Ronaldo, i cili ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës. Megjithatë, ai është shprehur i lumtur që e ka marrë këtë rol për vete.

“Tani unë jam lideri i sulmit, ndërsa më herët luaja për Cristianon. Unë gjithmonë e kërkoja atë me qëllimin për ta ndihmuar të shënojë më shumë gola. Kjo bënte që unë të mbetem në prapavijë, por tani unë e kam mundësinë për ta dëshmuar veten se mund të shënoj”, ka thënë Benzema për ‘France Football’.

Sulmuesi francez është në ballinën e edicionit të fundit të revistës prestigjioze të futbollit, France Football. Ky edicion përbëhet nga një intervistë, me titullin “E dua jetën time”.

Në 40 paraqitje të këtij sezoni, Benzema i ka shënuar 20 gola, si dhe i ka asistuar 7 të tjera. Ndërsa, të gjithë sezonin e kaluar, ai i kishte shënuar vetëm 12 gola, por i kishte asistuar 11 të tjera. /Gazeta Express/