Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë një takimi sot në Berlin me shefin e diplomacisë gjermane Heiko Mass, kërkoi më shumë prani të Gjermanisë përmes ekonomisë dhe investitorëve të saj në vendin tonë.

Ai tha se prania e Kosovës përmes rreth 400.000 qytetarëve të saj në Gjermani dhe kontributi i Gjermanisë në ndërtimin e paqes për 20 vjet me radhë nga Bundeswehr-i dhe tashti angazhimit nëpërmjet GIZ-it dhe Kampit për Inovacion në Prizren vetëm sa thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve tona.

Tema të diskutimit në mes ministrit Pacolli dhe Maas ishin edhe përkrahja e Gjermanisë për përfundimin e negociatave në mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke dhe anëtarësim të vendit tonë në OKB. Ministri Maas tha se do të përkrahë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, por edhe në përshpejtimin e procedurës së njohjes së patentë-shoferëve në mes dy vendeve.