E përditshmja angleze, Telegraph, raporton se durimi i Arsenalit me qendërmbrojtësin Shkodran Mustafi ka shteruar dhe tani trajneri Unai Emery e ka futur atë në listën e lojtarëve që nuk i dëshiron në skuadër.

Shqiptari me pasaportë gjermane nuk ka arritur ta dëshmojë veten që kur u transferua nga Valencia, në vitin 2016, për rreth 40 milionë euro dhe tani pritet të futet në listën e lojtarëve që do të shiten gjatë afatit të ardhshëm kalimtar, transmeton Gazeta Express.

Emery është i gatshëm ta largojë qendërmbrojtësin nga skuadra e tij dhe e kupton se klubi do ta pranojë edhe një shumë më të ulët parash për transferimin e 26-vjeçarit në ndonjë klub tjetër.

Pasi që u transferua në Arsenal për një shumë mjaft të lartë parash, shumë kjo që e bëri Mustafin mbrojtësin e tretë më të shtrenjtë në botë, ai nuk ka arritur ta dëshmojë veten dhe shpeshherë është konsideruar si ndër lojtarët më të dobët në Arsenal.

Paraqitjet jo edhe aq të mira të Mustafit gjatë karrierës së tij në Arsenal kanë ardhur edhe për shkak të lëndimeve të shumta që i ka pasur mbrojtësi, megjithatë ai është kritikuar edhe kur ka qenë në gjendje të mirë fizike.

“Shkodran Mustafi nuk ka qenë kurrë mjaftueshëm i mirë, që nga dita kur hyri nga dera dhe për këtë arsye Arsenali pranon aq shumë gola”, ka thënë ish-qendërmbrojtësi i Liverpoolit, tani analist në Sky Sports, Jamie Carragher. /Gazeta Express/

 

Loading...