Bojkoti i avokatëve të Kosovës vetëm gjatë ditës së djeshme në gjashtë Gjykatat e Kosovës, ka shkaktuar dështimin e 172 seanca gjyqësore. Të gjitha natyrat e seancave penale, civile e për kundërvajtje kanë dështuar të mbahen vetëm për shkak të mos prezencës së avokatëve të palëve. Gazeta Express ka nxjerr statistika nga gjashtë Gjykatat Themelore të Kosovës.
Si pasojë e bojkotit të përgjithshëm të avokatëve, grevë e shpallur nga Oda e Avokatëve të Kosovës, vetëm për një ditë, nuk u mbajtën më shumë se 100 seanca gjyqësore.

Disa u shtynë, e disa dështuan tërësisht, nga gjashtë Gjykatat Themelore të Kosovës, Gazeta Express ka nxjerr statistika të seancave.

Dështime më së shumti pati Gjykata Themelore e Prizrenit, me gjithsej 50 seanca të shtyra apo të dështuara veç për shkak të bojkotit të avokatëve.

E në Gjykatën Themelore të Pejës, për Express, zyrtarja për Informim në këtë gjykatë, ka treguar se janë shtyrë gjithsej 21 seanca.

“Sot, në Gjykatën Themelore në Pejë, janë shtyrë gjithsej 21 seanca për shkak të mungesës së avokatëve”, ka thënë Tringa Zhuti.

Numër të dështimit të seancave të ngjashëm pati edhe Gjykata Themelore e Ferizajt bashkë me degët e saj.

Nga kjo gjykatë, konfirmuan se mbi 20 seanca nuk janë mbajtur veç dje.
Gjykata e Prishtinës, gjithashtu, ka njoftuar se pas vendimit të Odës së Avokatëve për bojkot, kanë pësuar dështimin e 30 seancave gjyqësore, pikërisht për shkak të mos paraqitjes së avokatëve.

“Ju njoftojmë se pas vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës për bojkotimin e seancave gjyqësore deri në rishikimin e vendimit të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë anuluar rreth 40 seanca gjyqësore, prej tyre 30 nuk janë mbajtur për arsye të mos paraqitjes së avokatëve në seanca, derisa sipas informatave që kemi pranuar nga gjyqtarët sot me datën 09.01.2019 janë mbajtur gjithsej rreth 30 seanca gjyqësore”, ka thënë për Express, zëdhënësja për informim e kësaj gjykatë, Mirlinda Gashi.

E në Gjykatën Themelore të Gjilanit, bashkë me degët e saj në Viti, Kamenicë dhe Novobërdë, kanë dështuar 24 seanca gjithsej.

Zëdhënësi për Informim i kësaj gjykatë, Sabit Shkodra, ka konfirmuar për Express se vetëm në Gjykatën Themelore të Gjilanit kanë dështuar 16 seanca, por edhe të tjera në degët e saj.

“Po mund të ju njoftojë që gjatë ditës së djeshme në Gjykatën Themelore të Gjilanit afër 16 seanca gjyqësore kanë dështuar për shkak të mungesës së avokatëve, ndërsa llogarit edhe me Degët e Gjykatës Themelore në Viti, Kamenicë dhe Novobërdë numri i seancave të dështuara llogaritet të jetë 24 seanca”, ka thënë Shkodra.

Dështime pati edhe në Gjykatën e Gjakovës bashkë me degët e saj, me gjithsej 27 seanca, pikërisht për shkak të bojkotit të avokatëve kosovarë.

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë gjithsejtë janë shtyrë dhjetë seanca për mungesë të prezencës së avokatëve në procedurë. Nga këto dhjetë seanca, shtatë prej tyre janë të materies civile, dy të materies penale dhe një në kundërvajtje.

Kështu ka konfirmuar Zyrtari për Informim në këtë Gjykatë, Lekë Muqaj për Express.
Megjithatë, në Gjakovë pati edhe seanca të mbajtura, por numri i tyre ishte vetëm pesë.
“Seanca të mbajtura në Gjykatën Themelore në Gjakovë, gjithsej janë 5 seanca të cilat i përkasin materieve të ndryshme për të cilat nuk ka qenë pengesë procedurale prezenca e avokatëve”, ka thënë Muqaj.

E në Degët veç e veç të Gjykatës Themelore të Gjakovës, Muqaj tregoi se në Rahovec, janë shtyrë tri, Malishevë janë shtyrë tetë dhe gjashtë janë seanca janë mbajtur por të cilat i përkasin natyrave të ndryshme për të cilat nuk ka qenë pengesë procedurale prezenca e avokatëve.

“Të mbajtura në Gjykatën Themelore në Gjakovë-dega Malishevë janë 6 seanca në të cilat i përkasin materieve të ndryshme për të cilat nuk ka qenë pengesë procedurale prezenca e avokatëve”, ka thënë Muqaj për Express.

Kjo grevë e shpallur dje nga Oda, u bë për shkak të pakënaqësisë së tyre ndaj një rekomandimi të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili u kërkon avokatëve t’u pengohet lëvizja, puna në objektet e gjykatave.

“Këshilli Drejtues i OAK më datë 05.01.2019 në mënyrë unanime ka vlerësuar që Urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prizren e datës 08.08.2018 dhe rekomandimi i KGJK-së i datës 27.12.2018 paraqesin shkelje themelore të parimit të qasjes në drejtësi dhe si të tilla janë të papranueshme”, njoftuan nga Oda më 8 janar.

Por, KGjK mendon se gjendja faktike qëndron ndryshe.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka thanë se rekomandimi i tyre, përkatësisht i Komisionit për Administrimin e Gjykatave për vendosjen e një regjimi të kufizuar të qasjes në objektet e Gjykatave nuk përbën një masë kufizuese të pa-arsyeshme, jo-proporcionale dhe diskriminuese, që pengon qasjen e avokatëve mbrojtës në Gjykata.

“Si e tillë, masa mëton të vendosë një rend shtëpiak nëpër Gjykata, të rrisë sigurinë dhe parashikueshmërinë nëpër objektet e Gjykatave, dhe të pengojë komunikimin e pa-arsyeshëm ex-partë”, thuhet në sqarimin e KGJK’së.

Ndryshe, edhe sot, për shkak të bojkotit, po vazhdojnë të dështojnë seanca në të gjitha Gjykata e Kosovës.

Sot, gjithashtu në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dështoi të mbahet edhe seanca kundër deputetit Fisnik Ismaili, i cili po akuzohet për posedim të bombolave të gazit në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Ajo është anuluar për shkak të bojkotit të avokatëve.

Loading...