Derbi i Milanos, i cili do të zhvillohet më 17 mars do ta jetë edhe më i veçantë se zakonisht, pasi që futbollistët e Interit do ta veshin një fanellë të veçantë, për ta festuar 20-vjetorin e bashkëpunimit me kompaninë Nike.

Derbit mes rivalëve të qytetit janë gjithmonë të veçantë për shkak të atmosferës që krijohet në stadium nga tifozët. Kjo atmosferë intensifikohet edhe më shumë kur dy klubet rivale e ndajnë të njëjtin stadium, ashtu siç ndodh me Milanin dhe Interin, transmeton Gazeta Express.

Për momentin, Interi radhitet në pozitën e tretë, ndërsa Milani në pozitën e katërt në tabelën e Serisë A dhe nëse gjërat qëndrojnë kështu deri në fund të sezonit, që të dy klubet do ta kenë arritur qëllimin e tyre.

Për të vendosur se cili nga këto dy klube, kuqezinjtë apo zikaltrit, e meritojnë një pozitë më të lartë në top katërshe, Interi dhe Milani do të përballen më 17 mars. Sot, Interi ka bërë të ditur se ata do ta veshin një fanellë të veçantë për këtë ndeshje.

Fanella përbëhet nga 10 nga fanellat më të famshme të Interit gjatë 20 vjetëve të bashkëpunimit me Nike.

Së fundi, që të dyja këto klube konsiderohen si “gjigantë në gjumë” për shkak se sukseset kanë munguar gjatë sezoneve të fundit. Mirëpo, që të dyja klubet nga Milano janë duke e bërë maksimumin për t’u kthyer në majat e futbollit evropian, duke u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. /Gazeta Express/