Klubi i Premierligës, Cardiff Cityt, mund t’i zbriten disa pikë të këtij sezoni në ligën angleze, nëse ata nuk ia paguajnë Nantesit 17 milionë euro për transferimin e Emiliano Salas, sipas ekspertit të ligjeve në futboll, Gianpaolo Monteneri.

Emiliano Sala u transferua në klubin e Premierligës, Cardiff City, më 19 janar, nga Nantes, vetëm dy ditë para se të zhdukej me aeroplanin që po udhëtonte drejt shtëpisë së tij të re, në Cardiff të Uellsit, transmeton Gazeta Express.

Cardiffi mori një kërkesë zyrtare nga Nantesi të enjten për t’ia paguar shumën prej 17 milionë eurosh për transferimin e sulmuesit argjentinas. Shuma fillestare, 6 milionë euro, duhet të paguhet brenda dhjetë ditëve.

Drejtuesi i klubit anglez, Mehmet Dalman, e pranoi se ata nuk e kanë paguar shumën për të cilën ishte marrë vesh me drejtuesit e klubit francez. Por, Cardiffi dëshiron që të sqarohen të gjitha detajet e aksidentit para se ta bëjë këtë pagesë.

Avokati Monteneri e ka paralajmëruar Cardiffin se ata mund të ndëshkohen nëse nuk i kryejnë detyrimet ligjore, të cilat janë të përcaktuara sipas marrëveshjes së arritur mes dy klubeve për transferimin e Salas.

“Nëse detyrimet e caktuara në kontratën e transferimin nuk kryhen brenda afatit kohor, kjo rezulton me shumë pasoja për klubin. Mund të përfundojë me zbritje nga shuma e pikëve në ligë”, ka thënë Monteneri.

Piper Malibu, lloji i aeroplanit të fundosur në det, u zhduk mbrëmjen e 21 janarit, përderisa me të po udhëtonte Sala dhe piloti David Ibbotson. Policia Guernsey i kishte ndalur kërkimet tri ditë më vonë, më 24 janar, pasi që nuk kishin gjetur asgjë gjatë kërkimeve.

Më vonë kishte filluar një kërkim privat, i cili u mbështet nga donacionet private. Departamenti për Hetimet e Aksidenteve Ajrore kishte thënë se një trup kishte qenë i dukshëm në rrënojat e aeroplanit, i cili ishte në fund të detit afër ishullit Guernsey.

Pas disa përpjekjeve, trupi u nxjerr me sukses nga ato rrënoja dhe dje u konfirmua se është i lojtarit që sapo ishte transferuar në Premierligë te Cardiff City, Emiliano Sala. Pas këtij lajmi, rrjetet sociale janë vërshuar nga mesazhe pikëllimi dhe ngushëllimi. /Gazeta Express/

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/sport/klubi-i-premierliges-mund-te-denohet-per-shkak-te-rastit-te-salas-624535/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright