Ndeshjet e Ligës së Kampionëve do të vazhdojnë edhe sonte, kur në orën 21:00 do të zhvillohen dy ndeshje, Ajaxi e pret Real Madridin, ndërsa Tottenhami do të përballet me Dortmundin në stadiumin kombëtar të Anglisë, Wembley.

Real Madridi është favorit për ta fituar këtë ndeshje, edhe pse Ajaxi ka një rekord mjaft mbresëlënës këtë sezon në ligën Eredivisie dhe do të tentojë ta vazhdojë formën edhe kundër gjigantit të La Ligës, transmeton Gazeta Express.

Ajaxi u kualifikua nga faza e grupeve pa asnjë disfatë. Me tri fitore dhe tri barazime, ata ishin madje duke i bërë presion Bayern Munichut për ta fituar vendin e parë në këtë grup.

Megjithatë, së fundi, Ajaxi ka pësuar disfatë me rezultat 6:2 kundër Feyenoordit, ndërsa Real Madridi e ka rigjetur formën e mirë. Pasi që Ajaxi kishte fituar ndeshje me rezultat 8:0, 7:1, 6:0 dhe 5:0 gjatë këtij sezoni, kjo ndeshje mund të jetë ndeshje me shumë gola.

Real Madridi do të tentojë ta vazhdojë formën e mirë që e ka treguar gjatë kohës së fundit edhe në Ligën e Kampionëve, ku gjatë vjetëve të fundit kanë treguar se janë mjaft të suksesshëm, duke e fituar titullin për tri sezone radhazi.

Ndeshja tjetër do të jetë ajo mes Tottenhamit dhe Dortmundit. Klubi anglez nuk transferoi asnjë lojtar gjatë dy afateve të fundit kalimtare dhe dy nga lojtarët e tyre më të mirë, Harry Kane dhe Dele Alli, janë të lënduar. Tottenhami edhe është eliminuar nga Carabao Cup dhe FA Cup, si dhe renditet në pozitën e tretë në tabelën e Premierligës.

Në anën tjetër, Dortmundi e kryeson tabelën e Bundesligës, me pesë pikë më shumë se Bayern Munichu, mirëpo gjatë kohës së fundit kanë pasur disa probleme me fazën e mbrojtjes. Shtatë golat e pranuara kanë bërë që ata t’i barazojë tri ndeshje radhazi.

Marco Reus nuk do të marrë pjesë në këtë ndeshje për shkak të një lëndimi, përderisa Dortmundi e ka arritur një marrëveshje me Chelsean për largimin e Christian Pulisic gjatë afatit kalimtar të verës. /Gazeta Express/

 

Loading...