Mbrojtësi i Cardiff Cityt, Sol Bamba, ka zbuluar se disa nga bashkëlojtarët e tij po frikësohen të udhëtojnë me aeroplan, pasi lojtari i ri i këtij klubi, Emiliano Sala, u zhduk të hënën bashkë me aeroplanin me të cilin po udhëtonte.

Vendndodhja e lojtarit që sapo ishte transferuar në Cardiff City ende mbetet e panjohur, pasi aeroplani me të cilin po udhëtonte, Piper Malibu, u zhduk gjatë rrugës nga Nantes në Cardiff, më 21 janar, transmeton Gazeta Express.

Sala kishte qenë duke udhëtuar drejt kryeqytetit të Uellsit pasi i kishte thënë lamtumirë ish-bashkëlojtarëve të tij në Nantes. Por, gjatë këtij udhëtimi, aeroplani u zhduk dhe Policia Guernsey e përfundoi kërkimin të enjten e javës së kaluar, pasi nuk gjeti asnjë gjurmë pas tri ditësh kërkime.

Sulmuesi argjentinas u nderua në ndeshjen e mbrëmshme të Cardiffit, kundër Arsenalit, të cilën londinezët e fituan me rezultat 2-1. Në një intervistë pas kësaj ndeshje, Bamba foli për ndikimin që e ka pasur zhdukja e Salas te lojtarët e klubit uellsian.

“Është një situatë me të vërtetë e pazakontë, një tragjedi e madhe. Të gjithë jemi ndikuar nga ajo që ka ndodhur, djemtë, qyteti, i gjithë klubi. Ne kemi marrë ndihmë. Zakonisht udhëtojmë me aeroplan dhe disa nga ne mendonin: ‘Nuk dua të udhëtoj kështu më’”, ka thënë Bamba.

“Kjo është shumë e thellë. Trajneri ka qenë i mirë dhe klubi ka qenë i mirë sa i përket formës së komunikimit me ne gjatë kësaj kohe. Dhe mendoj se kemi nevojë çlirohemi nga kjo gjë. Besoj se do të përmirësohemi gjatë javëve në vazhdim”. /Gazeta Express

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/sport/pas-zhdukjes-se-salas-lojtaret-frikesohen-te-udhetojne-me-aeroplan-621191/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Loading...