Kjo shtëpi tani është e juaja deri sa të ktheheni në objektin tuaj shkollor. Unë tani nuk jam pronar i shtëpisë, por jam rojtar dhe kujdestar në shkollën tuaj.

Këto ishin fjalët e Mehmet Aliut kur shtëpinë e tij të banimit e fali në shërbim të arsimit.

Vitet kaluan, nxënësit u kthyen në objektet e tyre shkollore, por shtëpia nuk u kthye te Mehmet Aliu. Shtëpia iu fal shtetit, si dëshmi e një rezistence shqiptare përmes arsimit.

E njohur si Kulla e Herticëve, objekti trekatësh, ndodhet në Kodrën e Trimave në Prishtinë, e muret dhe dyshemetë e shtëpisë bartin mbi vete një histori të veçantë.

Gjatë viteve 90, kur mësuesit dhe nxënësit shqiptarë nuk pranuan të mësonin sipas planprogrameve mësimore serbe, ata u dëbuan nga shkollat e tyre nga pushteti serb.

Ishte Halim Hyseni, atë kohë drejtor i Entit Pedagogjik të Kosovës, ai që insistoi që viti shkollor të mos mbetej në gjysmë por të vazhdonte të mbahej me çdo kusht. Ai hartoi një strategji për organizimin e mësimit në mënyra tjera, e këtë thotë se e bëri për ta shpëtuar arsimin shqip.

Meqë nuk kishin shkolla, shpresa u mbetej te shtëpitë private. E pikërisht Mehmet Aliu i Herticëve ishte ndër të parët shqiptarë që pa ngurrim ua dha shtëpinë nxënësve e mësimdhënësve. Madje, shtëpinë trekatëshe të sapo ndërtuar e mobiluar.

Prej asaj kohe, Aliu dhe familja e tij u bënë edhe roje të shkollës, duke mbrojtur nxënësit e mësimdhënësit.

Kështu, në këtë shkollë zuri vend gjimnazi “Sami Frashëri” i Prishtinës, të cilën e drejtonte Abdyl Gashi. Gashi rrëfen për vështirësitë që patën hasur atë kohë, teksa i duken sikur pjesë të imagjinatës.

Në një kohë të pazakonshme shkollat mundoheshin të funksiononin si të zakonshme. Mësimdhënësi Sahit Elshani tregon për KosovaPress, se aktivitetet jashtë kurrikulare nuk mungonin, përkundër vështirësive.

Historinë e arsimit paralel të viteve 90 e përmblodhi në një libër autori, Bajram Shatri, në mënyrë që historia e kësaj periudhe të jashtëzakonshme e arsimit të mos shuhej.

Pavarësisht se kjo periudhë përbën një histori të rëndësishme të rezistencës së arsimit shqip, shtëpitë që shërbyen si shkolla, por edhe vetë pronarët, nuk po e gëzojnë mbështetjen e duhur nga shteti.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, thotë për KosovaPress, se do ta shtyjnë para Ligjin për Arsimin e viteve 90’, dhe premton që së paku në të ardhmen t’i nderojnë me mirënjohje kontribuesit.

Edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka një premtim për këto objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Por me kalimin e viteve, janë shtuar edhe premtimet e institucioneve për të rregulluar çështjen e shtëpive shkolla, mirëpo, deri tani, nuk kanë gëzuar përkrahjen e nevojshme.

Gjatë vitit që lamë pas, komuna e Prishtinës ka premtuar se shtëpia e Herticëve do të bëhet muze, e për këtë mbetet të shihet.

Përndryshe, konsiderohet se gjatë viteve 90, që njihet edhe si periudhë e arsimit paralel, rreth 3200 shtëpi e lokale private u bënë vatra të arsimimit për mijëra nxënës në Kosovë.

Loading...