Të dielën u bënë 107 vjet që kur u zhvillua njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë shqiptare, Kongresi i Manastirit për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në prag të këtij përvjetori, “Lajm” vendosi që të pyesë analistë dhe gjuhëtarë se si do të ndiheshin sot delegatët e Kongresit të Manastirit po të ishin gjallë, nga niveli i përdorimit të gjuhës shqipe dhe alfabetit shqip në Maqedoni, shtetin në territorin e sotëm të cilit u mbajt Kongresi i Manastirit?

Përgjigja e tyre e përbashkët është se po të ishin gjallë sot Mithat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qiriazi, Nikollë Kaçorri, Shahin Kolonja, Fehim Zavalani, Mati Logoreci, Ndre Mjeda, dhe shumë të tjerë, të cilët sakrifikuan veten dhe e shkrinë pasurinë e tyre për unifikimin e gjuhës shqipe dhe  avancimin e çështjes kombëtare, do të ishin tejet të dëshpëruar. Edhe për shkak të kufuzimit të përdorimit të alfabetit të gjuhës shqipe por edhe për shkak të nivelit të lartë të analfabetizmit në politikë, shkencë, kulturë, gazetari dhe në sfera tjera të shoqërisë.

“Në Kongresin e Manastirit u morr një vendim i drejtë për përdorimin e këtyre shkronjave që i përdorimin sot, gjithnjë në vijë të angazhimit të rilindësve shqiptarë, me orientim europian. Është një alfabet shumë funksional dhe shumë pragmatik. Nëpërmjet këtij alfabeti është shumëfishuar dija, si dhe janë shkruar shumë dokumente jetike për ne, sikurse dy deklarata pavarësie.  Nëse e kontekstualizojmë çështjen e përdorimit të alfabetit tonë nëpër institucionet tona publike e shtetërore në Maqedoni, atëherë mund të themi se pjesëmarrësit në Kongres, po të ishin gjallë, do të ndjeheshin të dëshpëruar. Ky alfabet nuk është zyrtar në Maqedoni, ashtu sikurse edhe gjuha që shkruhet me po këtë alfabet. Ata që thonë të kundërtën gënjejnë”, është decid profesori i gjuhës shqipe, Salajdin Salihu.

Mendim gati të njëjtë ka edhe analisti Semi Mehmeti.

“Analfabetizmi në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë posaçërisht është i theksuar në skenën politike, sepse kemi shumë raste që politikanë kanë diplomuar, magjistruar e doktoruar, pasi që partia e tyre ka ardhur në pushtet. Për fat të keq analfabetizmi është prezent edhe në sfera tjera të jetës shqiptare në Maqedoni. Vitet e fundit po bëhet parim që sa më analfabet një person, aq më I përshtatshëm për të mbajtur ndonjë post”, vlerëson Mehmeti.