Jakup Krasniqi

E shkruar nergut për drejtuesit e tri institucioneve politike të Kosovës

Kur në vitet e vështira 1991 – 1997, 1998 e 1999, kishte nisur bashkimi i luftëtarëve kombëtarë, ndonëse jo në përmasat e duhura, pasi kishte njerëz që prisnin që të tjerët ta merrnin zjarrin e çlirimit tonë,

Komandantin Legjendar na tha: Lirinë tonë, çlirimin e pavarësinë e sjellin armët tona, guximi ynë, gjaku e jetët tona. A nuk e pamë deri me sot se pa gatishmërinë tonë për vetëflijim (e jo me pacifizëm), nuk do t’na ndihmonin as Amerika e as BE-ja?

Ne, dëgjuam fjalën dhe amanetin e Komandantit, dëgjuam testamentin e rilindësve në krye me Sami Frashërin se “të bashkuar e bëjmë të mundshme edhe të pamundshmen”. A nuk ishte për shumë ke në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, i pamundshëm çlirimi ynë? Kjo u vinte edhe nga frika (sot po dua t’i mirëkuptoj), por lypsej guximi si i Gjergj Elez Alisë që edhe me nëntë plagët në trup, të ndeshej me Bajlozin e Detit!

Nuk ishte i lehtë çlirimi ynë, por duhej guximi ynë për tu përballur me armikun tonë të egër, për të fituar aleatë e partnerë për të realizuar ëndrrën për liri, çlirim e pavarësi. Shpesh nuk na ka ardhur mirë, kur Bizmrku i kishte pas thënë delegacionit tonë ne Kongresin e Berlinit, se “duhet derdhur okë të shumta gjaku për të bërë shtetin”, por, atë gjë, ai ua thoshte, ndonëse në një formë tjetër edhe gjermanëve të Prusisë. Kur më 30 shtator të vitit 1863 u emërua kancelar i Prusisë, në fjalimin e tij, ndoshta më të mirin tha:”Gjermania nuk shikon në liberalizimin e Prusisë, por në forcën e saj…. Çështjet dhe problemet e mëdha kombëtare, nuk do të zgjidhen me fjalime dhe rezoluta të shumicës, por me hekur dhe gjak”. Po ta modifikonim në kushtet dhe rrethanat tona,

Kryeministri ynë do të duhej të thoshte: shqiptarët nuk duhet të presin nga politikat e pritjes a pacifiste e jona, nga shumësia e fjalëve dhe e numrave në Kuvend, as nga arrestimet e burgosjet e opozitës, por nga guximi dhe vendosmëria për të marrë vendime të guximshme për kombin. Në vendime të tilla e jo në nënshtrim, tregohet lideri i një vendi a kombi.

Ndërkaq, Kryeministrit tonë dhe drejtuesve të tjerë të shtetit, nuk u kërkohet as guximi i Gjergj e Elez Alisë, as i Adem Jasharit, as fjalimi programatik i Bizmarkut, këtyre të tanëve u kërkohet një tërheqje për të zhvilluar një dialog me opozitën, duke pasur sy e veshë hapur, për të parë e dëgjuar se nga duhet ecur kombi në këto momente.

Kryeministri Mustafa, Kryeparlamentari Veseli dhe Presidentja Jahjaga (renditjen e bëra sipas fuqisë faktike e jo asaj Kushtetuese), nuk duhet ta shtinë si struci nga rreziku kokën në zall, por lypset “sahat e më parë”, ta hapin dialogun përmbajtjesor për ta mbyllë një herë e mirë krizën politike më shumë se njëvjeçare. Këta njerëz nuk mund ta injorojnë opozitën e as kërkesat e saja, nuk mund t’i injorojnë mbi 200.000 nënshkrimet e qytetarëve, nuk mund ta injorojnë manifestimin protestues të 28 Nëntorit dhe as ketë të 5 dhjetorit 2015 në Gjakovë.

Ju drejtues të shtetit duhet ta kuptoni, e s’di sa po e vëreni, çdo vonim e neglizhim për dialog, përmbajtjesor rrezikon përshkallëzim e përkeqësim të situatës. Ju duhet ta dini, e sidomos duhet ta e dinë Kryetari i Kuvendit, se nuk duhet shumë numra për të bërë veprime përshkallëzuese! Ai e dinë mirë ketë, nëse nuk ka harruar! Duhet ta nxirrni një mësim nga e kaluara e afërt! Ju duhet ta dini, se edhe kështu jeni vonuar që vendit e kombit t’ia jepni zgjidhjen e duhur! Mos hezitoni për veprime të mençura!

Shpresoj dhe dua të besoj në mirëkuptim!