Pas zgjedhjeve presidenciale, qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të mbajnë mbledhjen e dytë. Kryeministri Zoran Zaev i cili qëndroi për vizitë në Shqipëri, paralajmëroi thirrjen e mbledhjes ndër-qeveritare në të cilët do të bëhet pasqyrimi i projekteve të përbashkëta. Zaev shtoi se rëndësi do t’i kushtohet lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.

Institucionet tona do ta shfrytëzojnë momentin për konstatime shumë pozitive lidhur me obligimet e përfunduara nga institucionet. Një çështje tjetër mbetet hapjen e “One stop shop” në pikën kufitare Qafëthanë ku më së paku do të duhet të përgjysmojmë kohën e pritjes së pasagjerëve dhe qarkullimit të mallrave mes dy vendeve, gjë që tani nuk funksionon si duhet. Këtë e kemi për obligim ta mundësojmë. Pra do të ketë vetëm një kontroll dhe e njëjta do të vlej edhe për mallrat. Vlerësoj se ky është një hap përpara për avancimin e lirisë së qarkullimit- deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

I pari i Qeverisë shqiptare, Edi Rama vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve asnjëherë nuk kanë qenë më të mira. Rama shtoi se Shqipëria do të angazhohet që bashkërisht me vendet e Ballkanit Perëndimor të aplikohet modeli Shengen, për lehtësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ekonomik.

Siç e kemi diskutuar, ne e kemi nisur një proces me Kosovën. Fatkeqësish i keqkuptuar në disa raste kur kemi folur për një model Shengen e që për ne është vetëm zanafilla e një projekti i cili duhet të shtrihet në të gjithë rajonin e që ne e kemi vullnetin dhe dëshirën që ta materializojmë në radhë të parë me fqinjët tanë. Jo vetëm me Kosovën por edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor duhet kyçur në këtë proces me qëllim që kufijtë mes vendeve tona të jenë po aq fluid sa janë kufijtë e vendeve të BE-së- deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Rama dhe Zaev folën edhe për projektet infrastrukturore dhe kulturore. Duke biseduar për krizën politike në Shqipëri dhe negociatat mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoninë e Veriut me qëllim harmonizimin e ligjeve reformuese, dy kryeministrat vlerësuan se duhet vepruar me kujdes me qëllim që në qershor dyja vendet të marrin lajmin e shumëpritur për fillimin e negociatave me BE-në. Në fokus ishte edhe ndikimi rus në dyja vendet dhe raportet e Shërbimit Informativ Shtetëror në Shqipëri për rritje të influencës ruse në Shqipëri dhe jo vetëm. Rama në këtë drejtim potencoi se për shtetin shqiptar nuk përbën sekret fakti që Rusia është kundër zgjerimit të BE-së në vendet e Ballkanit perëndimor.

Adrian Kerimi – Alsat