Më shumë se 50 tonë kokainë janë kapur në portin e Anversës (Belgjikë) për vitin 2018, thënë ndryshe sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në këtë vend, që është porti i dytë më i madh në Evropë për trafikun tregtar, njoftoi sot Ministria belge e Financave.

“Për sa i përket lëndëve si marijuana dhe heroina, rritja e sasive të kapura është gjithashtu e konsiderueshme”, theksoi në një komunikatë ministri, Alexander De Croo.

Ato arrijnë respektivisht 16,8 tonë (kundrejt 0,6 në 2017) dhe 4,4 tonë (kundrejt 1,1).

“Ndërsa 50,1 tonelatat e kokainës të kapura shënojnë një rritje prej 22% në raport me 2017 (41,2 tonë) dhe një vlerë tregu prej 2,5 miliardë eurosh”, thuhet në këtë komunikatë.

Porti i Anversës konsiderohet si porta kryesore hyrëse për në Europë të kokainës që vjen nga Amerika e Jugut dhe çdo vit thyhen rekorde për sasitë e kapura.