82 prokurorë nga prokuroritë publike në të gjithë Maqedoninë e padisin shtetin para gjykatave të vendit për mospagesën e shtesave në pagë prej 23.5 milion denarë, ose rreth 400 mijë euro, pa kamatë dhe shpenzime gjyqësore, njofton “Makfaks”.

Shuma së bashku me shpenzimet gjyqësore dhe me kamatën është thuajse e dyfishtë. Informacionin e konfirmuan nga Ministria e Drejtësisë. Sipas informacioneve kanë paditur prokurorë nga Shkupi, Gostivari, Velesi dhe nga qytete tjera të Maqedonisë.

Prokurorët publik dhe gjykatësit nga viti 2015 duhet të marrin paga më të larta për punën jashtë orarit dhe për punën në festa prej 35% deri në 50%.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskska deklaroi se paditë janë nisur para se të bëhet ministre e Drejtësisë dhe për këtë çështja ka biseduar me Prokurorin Publik dhe me ministrin e Financave.

“U njoftova menjëherë kur hyra në funksion. Biseduam me Prokurorin Publik dhe me ministrin e Financave për gjetjen e mjeteve për zgjidhjen e problemit jashtë procedurave gjyqësore”, tha Deskoska duke shtuar se Prokuroria Publike ka buxhet të veçantë me të cilën disponon në mënyrë të pavarur.

Nga ministria e Drejtësisë thonë se pjesërisht janë siguruar mjete në buxhetin për këtë qëllim, por nga kjo pikë duhet të paguhet shtesat e shërbimit të Prokurorisë dhe obligimeve tjera ndaj personave fizik dhe juridik të Prokurorisë Publike.