Ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi, ka hedhur poshtë akuzat e drejtorit të Jugohromit se shkak për mos vënien e filtrave deri më tani janë pengesat institucionale që iu bëhen atyre nga Komuna. Izairi madje ka deklaruar se ai deri më tani ka pasur dy herë nga gjashtë muaj afat që të fillojë me procedurën e vënies së filtrave, por aspak nuk kanë lëvizur në këtë drejtim, transmeton Alsat-M.

“Gjykoj se pengesa institucionale nuk është shkak se qeveria me vendimin e vitit të shkuar ia prolongoi afatin për harmonizimin e planit operativ pra siç e dini qeveria ia vazhdoi për dy vjet me kusht që gjashtë muajt e parë të ketë progres në implementimin e planit operativ por, gjashtë muajt e parë nuk lëvizi në këtë aspekt dhe gjashtë muajt e dytë nuk ka ndonjë lëvizje të dukshme siç e shihni edhe vet dhe nuk shoh që dikush i bën obstruksione”, tha Nurhan Izairi, Ministër i ekologjisë.

Sipas Izairit, Qeveria deri më tani është dashur që të merr masa në këtë drejtim dhe të merret më seriozisht me Jugohromin. Ai nuk ndjehet aspak fajtor sepse, deri më tani, Ministria e ekologjisë dy herë i ka dërguar Qeverisë rekomandimin për ta ndaluar punën e Jugohromit deri në vënien e filtrave.

“Ne kemi kërkuar edhe para një viti që qeveria të mos e vazhdojë afatin për arsye që i ceka më lartë. Ne edhe para gjashtë muajsh dhamë informatën në qeveri e cila tregon se ata nuk kanë lëvizur brenda gjashtë muajve të parë dhe sipas kësaj qeveria duhej të sjell vendimin tjetër për mbyllje por nuk e solli. Qeveria është organ kolektiv, ajo ka Kryeministër që cakton rendin e ditës dhe nuk e caktoj unë, unë bëj punën time sipas ligjit dhe informoj popullatën ndërsa qeveria duhet dhe shpresoj se shpejtë do debatoj në këtë çështje dhe do sjell vendim në të mirë të popullatës”, u shpreh Nurhan Izairi, Ministër i ekologjisë.

Në mbledhjen e radhës të Qeverisë ku pritet të diskutohet kjo çështje, sipas Izarit nuk pritet të merret vendim për dhënie të afatit shtesë për Jugokromin, por masa ndalimin e punës deri në vënien e filtrave.