Nuk do të ketë bisedime për zgjidhjen e çështjes së mediave, para afatit të paraparë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, tha për televizionin Shenja, ndërmjetësi belg në bisedime Piter Vanhoutte

“Deri më tani nuk ka takime të planifikuara për grupin e punës. Nuk do të ketë bisedime. Të paktën jo para zgjedhjeve.”, ka thënë Vanhaute.

Kjo nënkupton se të paktën deri në zgjedhje, do të mbetet rregullimi aktual i mediave, përveç nëse nuk inicohen ndryshime ligjore në Kuvend. Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, nga ana tjetër deklaroi se për SHGM-në është e papranueshme braktisja e formatit të deritanishëm të negociatave, ku vendimet për të gjitha pikat e Marrëveshjes së Përzhinos miratoheshin me konsensuz. Ai tha se nuk ekziston një garanci nëse ky propozim do të kalojë në kuvend në formën e propozuar, duke tërhequr vërejtjen për ndonjë marrëveshjeje të fshehtë mes pushtetit dhe opozitës për bartjen e bisedimeve për mediat, nga klubi i deputetëve, në kuvend. “Unë nuk jam i bindur se çështja e mediave nuk do të diskutohet, kjo thuajse është e pamundur, por neve na shqetëson ajo që bisedimet barten nga ky format që funksiononte në të kaluarën, në një format tjetër, në kuvendin e Maqedonisë. Jo se Kuvendi I Maqedonisë, nuk është vendi ku duhet të diskutohen këto reforma, por neve na shqetëson mënyra, sistemi, mënyra e vendimmarrjes. Ju e dini se nëse braktiset sistemi I vendosjes me konsensuz, atëherë dihet se kush I ka votat në kuvend dhe është pak joserioze që të pritet që kjo përbërje e kuvendit të miratojë vendime positive për reforma në media.”, ka deklaruar kryetari i SHGM-së, Naser Selmani. Ai shtoi më tej se, në këtë mënyrë bëhet nënvlerësimi i sistemit të punës që doli nga Marrëveshja e Përzhinos, dhe se me këtë çështje partitë politike bëjnë përpjekje për gjueti votash. Ai tha më tej se propozimet e LSDM-së janë të papranueshme për SHGM-në, pasi sipas tyre braktisja e propozimit të Vanhouttes të cilën LSDM e kishte mbështetur deklarativisht, rrezikon të ndihmojë skenarin e pushtetit për të forcuar edhe më shumë kontrollin e saj mbi mediat dhe rregullarotin e mediave. Çështja e mediave ishte një ndër pikat kyçe të Marrëveshjes së Përzhinos për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, ndërkaq përfaqësuesit politik, në asnjë mënyrë nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e kësaj çështjeje.