Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve ka pranuar në punë udhëheqës sektori të përkatësisë maqedonase edhe pse në konkursin e shpallur nga Agjencia e Administratës vendi ishte i paraparë për një shqiptar.
Në shpalljen publike me numër 359/2018, në Sektorin për siguri, trajtim dhe trajnim në kuadër të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, sipas planit vjetor të Agjencisë së Administratës, kushti i parashikuar për balancimin e përfaqësimit adekuat parashikonte punësimin e një nëpunësi nga përkatësia etnike shqiptare.
Bëhet fjalë për Biljana Zefiq e cila në aplikim është deklaruar shqiptare, pavarësisht se përkatësia e saj është maqedonase.
Mirëpo shqiptari Adem Elezi nga Shkupi, thotë se Zefiq jo që nuk është shqiptare, por është nacionaliste maqedonase që urren etnitë tjera.
“Në vitin 2008, si drejtoreshë e emëruar nga PRSD e Tito Petkovskit, Zefiq më përjashtoi nga puna si guardian në burgun e Shutkës, pa kurrfarë faji. Dy kolegët e mij maqedonas u dënuan vetëm me nga 15 për qind të rrogës në periudhë 6 muaj, kurse mua më përjashtuan dhe sot e kësaj dite nuk më kanë kthyer”, thotë Adem Elezi, ish i punësuar në burgun e Shutkës. Sipas tij, tentime të ngjashme ka pasur edhe ndaj të punësuarëve tjerë shqiptarë, prandaj disa prej tyre janë detyruar ta lëshojnë punën. Ajo të njëjtën qasje e ka pasur edhe ndaj të punësuarve nga bashkësitë tjera etnike.
Alsat ka kontaktua përmes telefonit Zefiqin duke iu drejtuar në gjuhën shqipe, por kjo e fundit pranoi se nuk din shqip. Ajo thirrej se është shqiptare katolike dhe se familja e saj i takon të njëjtës përkatësi religjioze.
“Tani që kandidatja është shprehur shqiptare rezulton që ka një kandidat shqiptar i cili ka arritur pikët dhe është përzgjedhur. Për të përsëritur konkursin, Agjencia për Administratë nuk ka kompetenca. Këtë duhet ta bëj institucioni përkatës- thekson Agron Seferi, Zëvendësdrejtor i AA-së.
Kushtet e parapara me ligj, gjatë procedurës së aplikimit, në fazën e intervistës parashikojnë pikë shtesë në rast se kandidati nga etnia tjetër zotëron edhe gjuhën maqedonase. Keqpërdorim dhe deklarim të rrejshëm të kandidatëve ka edhe në raste tjera. Raste të tillë siç mëson Alsat janë të shumtë.
Fenomeni flet për deklarimin e maqedonasve si shqiptar dhe anasjelltas por përveç se si shqiptar ata deklarohen edhe si turq, rom, boshnjak, vlleh e serb kur në konkurse parashikohen kandidatë me përkatësi etnike tjetër nga ajo maqedonase.