Ministria e Arsimit dhe Shkencës po e ndjekë situatën me epideminë e fruthit, është në koordinim me ministritë e Shëndetësisë dhe Punës dhe Politikës Sociale dhe në bazë të situatës në terren do të vendosë për shtyrjen e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2018/2019, që duhet të fillojë më 21 janar.

“Jemi në koordinim të plotë edhe me ministrin e Shëndetësisë dhe me ministren e Punës dhe Politikës Sociale, nën kompetenca të të cilëve është arsimi parashkollor, dhe po e ndjekim situatën me seriozitet. Sipas asaj që do të kemi në terren, do të ndërmarrim masa në prag të gjysmëvjetorit të dytë. Do të ndërmerret ajo që është e domosdoshme nga ana jonë si institucion kompetent”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi pas vizitës në SHF “Vasill Gllavinov” në Çair, e cila po rikonstruohet.

Shtoi se me ato dy ministri MASH-i është në koordinim edhe për gjetjen e zgjidhjes ligjore me të cilën, siç tha, do të nxiten të gjithë prindërit t’i vaksinojnë fëmijët sepse arsimi fillor është o obligueshëm.

“Duhet të mbajmë llogari edhe për ndjekjen e procesit edukativo-arsimor në arsimin fillor dhe për vaksinimin e fëmijëve tanë. Edhe në Ligjin ekzistues për arsim fillor është paraparë se gjatë regjistrimit të fëmijëve në klasë të parë, prindërit e tyre duhet të dëshmojnë se kanë qenë të vaksinuar”, tha Ademi.

Kumtoi edhe se projekt-versioni i dytë nga ligji i ri për arsimin fillor është në fazë përfundimtare dhe së shpejti do të publikohet në regjistrin elektronik të rregullave (ENER) dhe, siç tha, do të përmbajë zgjidhje cilësore.