Një shqiptar nga Maqedonia për të përforcuar sulmin e Partizanit dhe për ta udhëhequr drejt titullit kampion me golat dhe asistet e tij. Të kuqtë i janë kthyer fuqishëm pistës që i çon te një dëshirë e vjetër. Bëhet fjalë për Agim Ibraimin. Sulmuesin e krahut për të cilin Partizani u interesua edhe në vitin 2016-të por në atë periudhë klubi kazak i Astanas nuk lejoi largimin e tij. Prej një sezoni e gjysmë futbollisti që është aktivizuar edhe në 44 takime duke shënuar dhe 9 gola me përfaqësuesen e Maqedonisë, aktivizohet në Slloveni me skuadrën e Domzales. Në këtë sezon Ibraimi është aktivizuar në 16 takime duke realizuar dhe 2 gola. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për Domzalen por duke parë interesin e Partizanit dhe objektivat që kanë 15-herë kampionët e Shqipërisë, 30-vjeçari është gati të hyjë në bisedime dhe nëse i plotësohen të gjithë kërkesat financiare nuk do të ishte kundër transferimit në Kategorinë Superiore. Tashmë gjithçka është në dorë të Partizanit, që megjithatë duhet të ruhet nga Shkëndija e Tetovës, pasi mediat maqedonase shkruajnë që për 30-vjeçarin interesohen dhe kuqezinjtë tetovarë të cilët kanë bërë hapa konkretë përpara.

Loading...