Kryesuesi i delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti pas përfundimit të takimit koordinues, ka thënë se është e qartë se pas takimit në Bruksel më 8 janar i kemi disa objektiva më te qarta.

Ai ka thënë se ka dakordim se nuk ka më dialog teknik.

“Kemi dakordim të plotë se më për neve nuk ka dialog teknik. Gjatë takimit të sotëm i njoftuam krerët shtetëror për temat që do ti diskutojmë… kemi informuar edhe për krijimin e gjashtë komisioneve të delegacionit shtetëror”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se në Bruksel do të diskutojmë edhe për të pagjeturit , pronat, të zhvendosurit, minoritet, Kishën Ortodokse serbe, kthimin e artefakteve etj.

Ahmeti tutje theksi se do të kemi dialog intensiv dhe një proces jo të lehtë.

“Është e qartë se kjo nuk është gatishmëri e jona për kompromise të rënda, është e qartë se do të synojmë një marrëveshje me Serbinë, që do të rezultonte me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Nuk do të jetë proces i lehtë, do mundohemi t’i japim fund një konflikti që nuk ka qenë vetëm i armatosur por edhe diplomatik”, u shpreh Ahmeti.

Ai theksoi se nuk ka temë tabu për ta dhe se do të tregojnë çdo gjë që e dëgjojnë dhe e diskutojnë.

Ahmeti ju bëri sërish thirrje LDK-së dhe VV-së që t’i bashkohen delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë.