Vitet e fundit dimri në Maqedoninë Veriore, nuk sjell gëzimin e zakonshëm. Qëkur qytetet tona kanë filluar të rangohen në pozitat më të larta evropiane dhe botërore sa i përket ajrit të ndotur, prindërit më tepër buxhet ndajnë për ilaçe, se sa për rekreim me fëmijët në dëborë. Maqedonia nuk është ndonjë shtet me industri të zhvilluar dhe me fabrika të mëdha, prandaj niveli i lartë i ndotjes më tepër vjen si pasojë e mungesës së standardeve ekologjike dhe për shkak të mosrespektimit të atyre standardeve.

(KRONIKEN E PLOTE MUND TA SHIKONI NE KETE VIDEO LINK )

Kompetentët vazhdimisht paralajmërojnë masa për uljen e ndotjes, e cila shënon rekorde gjatë muajve të dimrit. Premtohen edhe subvencione, por rezultatet ende mungojnë.

Qytetarët nuk u besojnë shumë masave që premtojnë zyrtarët. Ata thonë se këto masa më tepër aplikohen për të bë keqpërdorime, se sa që dedikohen për uljen e ndotjes.

Çmimi që paguajnë qytetarët është mjaft i lartë. Kurse në mesin e tyre, çmimin më të lartë e paguajnë fëmijët e moshës prej 0 deri 6 vjeç, që janë edhe më të pambrojturit nga koncentrimi i lartë i grimcave kancerogjene PM 10 dhe PM2. Sipas të dhënave nga Enti për Mbrojtje Shëndetësore, vetëm në Tetovë për çdo vit mbi 20 mijë fëmijë sëmuren nga sëmundje respiratore për shkak të ndotjes.

Garën për vendin e parë dhe të dytë në Maqedoni për ajrin e ndotur, vazhdimisht e zhvillojnë Tetova dhe Shkupi, por herë pas herë në këtë garë kyçen edhe Gostivari, Manastiri, Kumanova e Kavadari. Në Tetovë ka një përmirësim të dukshëm, pas mbylljes së fabrikës Jugohrom, e cila në kundërshtim me ligjet që caktojnë standardet ekologjike, vazhdoi të punojë edhe dy tre vite pa filtra me leje të posaçme të qeverisë së kaluar.

Pati tentim për hapjen e sërishëm të kësaj fabrike, me plotësim të pjesërishëm të standardeve ekologjike, por falë rezistencës së Organizatës Joqeveritare “Eco Guerilla” nga Tetova, këto tentime tani për tani janë penguar. Kjo shoqatë nuk lëshon pe edhe pse është joshur me oferta financiare për të heshtur, por është përballur edhe me kërcënime.

Qytetarët që jetojnë në fshatra, ndihen më të privilegjuar se ato që jetojnë në qytete. Së paku gjatë muajve të dimrit, kur ndotja arrin pikën maksimale.

Në qytete të ndryshme të Maqedonisë janë organizuar edhe shumë protesta kundër ndotjes, mirëpo ka pak ndryshime positive, ose mungojnë fare. Për këtë arsye gjithnjë e më i saktë duket konstatimi se jetojmë në shoqëri kancerogjene dhe se qytetet më të mëdha janë bë si dhoma gazi.
Paralelisht me premtimet për përmirësim nga autoritete, qytetarët, por edhe fëmijët humbin jetën, kanë probleme me frymëmarrje, shënohen lindje të parakohshme dhe e gjithë kjo vjen si pasojë e ajrit të ndotur që është alarmues.