RESHAT IBRAHIMI
Bruno Akrapoviç, trajneri kroat i Shkëndijës për herë të parë flet për “Lajm” lidhur me klubin e ri, ambiciet, përforcimet dhe premtimet ndaj tifozëve.
Lajm:Fillimisht ju përgëzojmë për punën e re te KF Shkëndija. Na thoni sa keni njohuri për klubin e ri?
Akrapoviç:
Ju falënderit edhe juve për intervistën dhe për uratat që më bëni. Sigurisht se për klubin kam njohuri të mjaftueshme. Gjithë këtë periudhë prej kur jam emëruar si trajner i Shkëndijës unë i jam përveshur punës menjëherë dhe informatat nga dita në ditë janë shtuar. Kam analizuar mirë ekipin, çdo lojtar individualisht, kam parë shumë ndeshje përmes video materialeve dhe veç më kam një pasqyrë shumë reale të gjendjes së skuadrës. Vlerësoj se kemi ekip të mirë, këto ditë që kemi nisur me përgatitje shoh se gjithçka është si duhet dhe tani na mbetet neve vetëm të punojmë dhe të bëjmë punën tonë si duhet.

Lajm:Keni ardhur në një kampionat të panjohur, si patët guxim të pranoni një sfidë të tillë?
Akrapoviç:
Çfarë guximi?! Guximi është një gjë që si trajner patjetër duhet ta posedoni. Vetëbesimi shkon pas guximit. Pra, duhet patjetër të keni edhe njërën edhe tjetrën, plus edhe disa faktorë tjerë. Nëse këto nuk i keni, atëherë më mirë mos merreni me këtë punë. Unë nuk i frikësohem punës, për më shumë më pëlqejnë sfidat dhe mendoj se do të arsyetoj besimin që më kanë dhënë drejtuesit e klubit.

Lajm:Sigurisht qe jeni në dijeni se Shkëndija është një klub me ambicie dhe tifozëri të madhe në kampionatin vendor, gjithmonë e etur për trofe. A jeni në gjendje t’ua përmbusheni këto synime?
Akrapoviç:
Nuk kam ardhur për të thënë se jam i paaftë për të fituar tituj! Jam i aftë, por mund të flas shumë dhe në fund të fundit shihet rezultati dhe vepra. Prandaj për këtë mund të flasim pas disa muajsh, pasi tani mundemi vetëm të flasim. Puna e vërtetë pason tani.

Lajm: Sa do të jetë vështirë të arrihen këto objektiva kur kihet parasysh se Shkëndija ngel pesë pikë larg Vardarit (lider), ndërsa edhe rrëmbimi i kupës është një mision i zorshëm?
Akrapoviç:
Sot asgjë nuk është e lehtë. 5 pikë mund të jenë shumë, por nuk do të thotë se nuk arrihen. Gjithçka do të varet nga ne, pak edhe nga ajo nëse do të gabojë Vardari. Mirëpo, nëse ne do te jemi ekip i vërtetë, të bëjmë punën mirë, sigurisht se do t’i afrohemi Vardarit. E jona është të punojmë për këtë, të ndërtojmë atmosferë, të japim edhe atomin e fundit të forcës tonë për të arritur këta qëllime.

Lajm: Para ca ditësh ekipi u përforcuat me disa lojtarë, dhe cilët nga blerjet e reja erdhën me sugjerimin tuaj?
Akrapoviç:
Sigurisht se çdo gjë që bëjmë në klub e bëjmë bashkarisht me biseda dhe konsultime të përbashkëta. Kjo vlen edhe për përforcimet dhe gjithçka rreth klubit. Unë nuk jam ndonjë kokëfortë për të patur ndonjë dëshirë apo insistim të madh personal, por pasi punojmë për Shkëndijën dhe arritjen e sukseseve, kuptohet se gjithë hapat që marrim i bëjmë bashkarisht”.

Lajm:A mjaftojnë ato përforcime apo do të kërkoni ende lojtarë?
Akrapoviç:
Shikoni, duhet të kemi parasysh një gjë. Kemi afruar përforcime të mira, por asnjëherë nuk është mjaft. Unë jam i kënaqur me ekipin ashtu si është tani, por gjithçka mund të ndodh. Mund dikush të lëndohet, dikush të mos jetë në formë, dikush të jetë i hidhëruar, apo të ndodh ndonjë transferim jashtë. Gjithë këto nuk mund t’i parashikojmë tani, e jona është të ndjekim situatën, të mos i lejojmë asgjë rastit dhe nëse ndonjë futbollist cilësor del në horizont dhe ndërkohë i përket nivelit të kërkesave tona, mund të ndodh të kemi edhe ndonjë përforcim. Për momentin nuk kemi planifikuar.

Lajm: Shkëndija edhe në pranverë do të luaj jashtë qytetit të Tetovës, a keni frikë nga dështimi eventual?
Akrapoviç:
Nuk frikësohem nga ajo, pasi që ekipi do të jetë i përgatitur, fizikisht, psikikisht dhe në aspektin tekniko-taktik. Ne kemi informata se do të luajmë jashtë dhe nuk do të jemi në shtëpi para tifozëve tanë dhe ne detyrimisht të përgatitemi për këtë. Me një përgatitje të tillë psikike mendoj se qasja profesionale patjetër të jetë e pranishme”.

Lajm: Çfarë ju premtoni futbolldashësve të klubit?
Akrapoviç:
Premtoj një qasje profesionale dhe me shumë përkushtim. Tifozëve u premtoj se do t’ua kthejmë mbështetjen e tyre që na japin gjithë kohës. Lojë të mirë, të bukur, luftarake dhe kuptohet rezultate.

Loading...