MERO BAZE

Nga ana tjetër, ka një sërë veprimtarësh të shoqërisë civile, por dhe intelektualë të shquar dhe figura të rëndësishme të mendimit tonë kombëtar, që kanë kërkuar lirimin e Albin Kurtit, i cili shikohet si një hap drejt thellimit të krizës politike në Kosovë.

Në situata të tilla, përfshirja e Tiranës zyrtare në krizën e Kosovës duhet të jetë e matur dhe duhet të respektojë jo vetëm pavarësinë e Kosovës, por dhe rrezikun që ka sjellja paternaliste e Tiranës mbi Kosovën.

Për këtë është mirë të qartësohen pikat për të cilat bashkohen qëndrimet dhe pikat për të cilat ndahen.

Pika e parë që bashkon një shumicë të pranueshme është lirimi i Albin Kurtit. Për këtë bien dakord shumica e zërave të shoqërisë civile në Kosovë dhe Shqipëri. Zbatimi i masave administrative të Kuvendit të Kosovës për sjelljet agresive si deputet, do të ishte rruga e duhur në vend të arrestimit. Burgosja është një masë ekstreme, e cila jo vetëm që thellon krizën, por ekspozon para publikut, probleme të cilat tejkalojnë fuqinë e qeverisë aktuale të Kosovës, për t’i zgjidhur.

Në këtë pike, edhe protestat simbolike të shoqërisë civile në Tiranë, vlejnë si protesta për lirimin e Albin Kurtit, dhe jo si protesta politike që i japin mendje Kosovës dhe qeverisë atje se çfarë duhet të bëjë. Viktimizimi i Albin Kurtit si një i burgosur politik, është një shëmti dhe një humbje nervash e pushtetit në Prishtinë, i cili duhet të qetësohet. Albin Kurti vlen si politikan i lirë, aktiv dhe plangprishës, siç është.

Pika e dytë është se Qeveria e Republikës së Shqipërisë, duhet të shprehet për arrestimin e Kurtit, dhe duhet të kërkojë lirimin e tij, pamvarësisht se mund t’i zemërohet qeveria e Kosovës. Ajo duhet ta bëjë këtë mes të tjerash se ka mbështetur “Marrëveshjen” e Serbisë me Kosovën dhe e ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës ta nënshkruajë atë. Në këtë rast, ajo është në konflikt politik me idetë e Albin Kurtit, por ajo duhet t’i rekomandojë qeverisë së Kosovës, ta lejë të lirë atë, si një e drejtë politike që i takon opozitës, ta ketë liderin në krye të saj.

Nga ana tjetër, reagimi i kryeministrit Mustafa, se nuk pret të mësojë nga Tirana se çfarë duhet të bëjë, nuk duhet të na bëjë shumë nervozë, pasi është një deklaratë e cila e bën më shumë qesharak, se sa arrogant, kryeministrin. Askush nuk mund të refuzojë këshilla, ngado që vijnë. Veprimtarët e shoqërisë civile kanë bindjet e tyre dhe mund të jenë dhe më radikalë se Albini, dhe për këtë nuk i marrin leje Mustafës. Problemi është që ai duhet të përballet me problemin që ka dhe jo të shpikë probleme dhe të bëjë sikur i injoron.

Nga Tirana, Isa Musatafa nuk ka asnjë problem. Tirana zyrtare e ka mbështetur për atë që ka bërë deri më sot, dhe nuk e ka sulmuar ende për atë që ka bërë kundër Albin Kurtit, çka duhet ta bëjë sa më shpejt.

Përtej lirimit të Albinit, nuk ka ndonjë konflikt. Çdokush është në llogoren e vet. Opozita do përdorë gjithë mjetet demokratike që mundet për t’u faktorizuar dhe qeveria mundësitë e saj për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të qeverisur Kosovën. Albin Kurti ka një konsensus popullor për faktin që duhet të jetë i lirë, por nuk e ka më këtë konsensus për idetë e tij të mëtejshme, dhe kjo është një arsye që ai është më i dobët i lire, se sa i burgosur.

Pika e tretë është mënyra e sjelljes së Vetëvendosjes. Ajo duhet të qetësohet. Unë e kuptoj çdo të thotë të jesh një opozitë nën trysni, me një lider të arrestuar, e bastisur dhe e sulmuar. Është padyshim një gjendje nervozizmi dhe alarmi i vazhdueshëm. Por, që një opozitë të bëhet e madhe, dallohet pikërisht në këto momente. Ata duhet të sillen si një parti që i bashkon njerëzit, edhe ata që nuk e duan, dhe jo si një parti që i agreson ata që mendojnë ndryshe. Shikoj shumë sulme personale, shumë përgjime mendimesh dhe teori konspirative ndaj atyre që nuk pajtohen me ata, dhe i sulmojnë. Është momenti që dikush duhet t’u thotë atyre djemve dhe vajzave në atë seli, se duhet t’i bëjnë njerëzit të besojnë tek ata dhe jo të tmerrohen nga ata, ende pa ardhur në pushtet.

Ata duhet ta pranojnë shtypin, ashtu siç është, gazetarët ata që janë dhe mendimin ndryshe ai që është. Beteja për ta shpallur Albinin, “Mesia” që do na shpëtojë, me dishepuj që përhapin pasiguri demokratike për të ardhmen, është një betejë e humbur. “Vetëvendosja” nuk duhet të bjerë në batakun e nervozizmit që ka kapur qeverinë duke burgosur kundërshtarin e saj. Ajo nuk duhet të konsiderojë fajtorë për arrestimin e Albinit, të gjithë ata që nuk mendojnë si Albini, por vetëm ata që kanë urdhëruar atë arrestim. Të tjerët janë një shoqëri e lirë, që u duhet Albini i lirë dhe jo trukimi i një heroi prej të cilit nuk presim të shpëtojmë.