SHAQIR ISLAMI

Miti, … si ta nis …  çdo shoqëri  i ka mitet e veta. S’ka qytetërim pa mite; e hasim kudo. Narrativi është magjia dhe motori i tij.  Miti ka ndikim të madh në krijimin e mentalitetit të shoqërisë: mënyrës së të menduarit, të veprimit, të sjelljes, komunikimit… të botëkuptimit.  Ai është çimentoja që e lidh dhe shtrëngon fort  kohezionin në shoqëri. Miti e krijon mozaikun nga copëza të vogla. Çdo qytetërim qoftë fukara, qoftë zengjin, i ka pas, i ka dhe do ketë mite. Pa mite, rrënohet çdo shoqëri. Dhe Kosova  i ka.

Shoqërinë  Kosovare e sundon miti i burgut. Sot, mitet sajohen edhe për qëllime politike. Këto quhen mite politike. Miti i burgut është mit politik. Burgu është kredit i madh për një individ. Burgu i fshinë dyshimet, e  pajis mbarë fisin, katundin bile dhe rajonin me besueshmëri; me rëndësi është ta kesh etiketën ‘i burgosur politik’ nga dora e ‘shkjaut’. Pastaj, kjo etiketë  është pasaportë  e veprimit në çdo lëmi;  hap dhe mbyll dyert, shtigjet, … Sjell bereqet për stërnipër dhe stërmbesa edhe  për mbarë fisin. Në Kosovë burgu është pasuri morale.

Miti  me lehtësi të madhe shëtit nëpër kohë, qytetërime, … nga e kaluara del në të tashmen, nga e tashmja fluturon në të ardhmen,… Miti është sundues tiran.  Sepse  ka fuqinë e shenjtëruar, bile e them lirisht se edhe fesë ia kalon me ndikim, ose,  le ta them me pak modesti,  janë aty…barabar. Shkurt e shqip miti është pushtues, a të mbërtheu … zor se të lëshon. Miti të mbërthen dhe të sundon, si fëmija kukullën.

Albini …  çka të them … është djalë me fat. Mund ta xhelozojë kush të dojë. Mos të keqkuptohemi, nuk e prin Albini fatin! Në fakt, atë e prin fati! Mes aq protestuesish të zhurmshëm në ato kohëra trazirash në Kosovë, fati e zgjodhi atë. Hop në  burg!  Midis të shumtëve, e deshi fati  burgimi i tij  krijoi rezonancë.

Marre u qoftë edhe Surroit edhe Pacollit me gjithë ato pasuri nuk ia dolën në politikë! Sa të pafat paskëshin qenë! Por, ndoshta kanë fat në dashuri? Ashtu thoshte rahmetli Selman Shishko, ‘kush s’ka fat në dashuri, ka në kumar’.

Ndërsa, djaloshi Albin  me xhepa bosh krijoi lëvizjen e madhe opozitare! I flenë opozita Albinit! Thjesht i ka hije.  Ai nuk e do pushtetin, sepse s’ka cilin ta kundërshtojë! Goxha e ka të zhvilluar Imagjinatën për ta kundërshtuar çdo hap pozitiv të Kosovës së lodhur, e cila çalon si luanesha plakë në këtë savanë të madhe  shtetesh.  Albini e do shumë Kosovën, e ka shumë për zemër, … sa që, për të e bëri burgun. Këtë fakt,  ‘E gjithë Kosova e ka ni’ është vargu i një kange “N’tren për Përzeren’.

Kosova është lodra e Albinit. Ai mund të bëjë me të ç’të dojë, në vartësi nga tekat e ditës. Kosova plakë duron. Kur e duroi ‘shkjaun’e dhunshëm, le t’i durojë një çikë edhe tekat e Albinit.  S’bëhet nami! Fundi, fundit për atë plakë të shëmtuar  e bëri burgun. Prandaj, një pjesë e mirë e shoqërisë e ndihmojnë në këtë pikëpamje. Solidarizohen me tekat e Albinit, pa ditur se pse dhe si,… sikur janë të magjepsur. Ndërsa Kosova plakë  vuan  dhe duron. Albini e lodh Kosovën, ia harxhon bosh energjinë sociale. Ai se ka aq shumë me Kosovën, sepse ajo edhe ashtu është e vogël dhe e dobët; ky më shumë  e ka me të huajt. Nuk i do miqtë e huaj të Kosovës, jo se vuan nga ksenofobia, e xhelozon me pasion të madh. Kosova është lodra e tij, dhe askush nuk ka të drejtë ta mundojë Kosovën përveç tij. Sa me mjeshtëri e shpëtoi nga përqafimi i UNESKO-s!  Me gjithë atë mund dhe imagjinatë që e përdori, vetëm për tre vota e shpëtoi Kosovën nga UNESKO!  Por, këtë vepër patriotike e bëri sërish me ndihmën e ithtarëve  të medias së lirë, liderëve të opinionit dhe shumë organizatave  qytetare dhe fshatare, të cilët i ndjekin bëmat e Albinit si të magjepsur. Ndonëse,  shumicës së kosovarëve s’ua ninë topat se fatin e Albinit e shndërrojnë  në fatkeqësinë e Kosovës.