Artin Hasani
Mbeti figura më e lavdëruar politike. Njëkohësisht edhe figura më e akuzuar politike. Sidoqoftë, Ali Ahmeti mbeti figura kryesore politike e shqiptarëve të Maqedonisë në vitin 2018. Arriti ta mbajë partinë në vend të parë edhe pse kaloi një periudhë mjaft të rrezikshme. U paraqitën subjekte të reja politike, mu në kohën kur BDI pati shumë dështime, saqë në disa momente u shlye nga skena politike.
Për shkak të dështimeve dhe aferave, bashkëpunëtorët më të afërt partiakë iu bënë më shumë pengesë, se sa mbështetje. Për këtë arsye humbi peshën edhe te një pjesë e faktorit ndërkombëtar, pasi shumë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare që vizituan Shkupin, nuk e përfshinë kryetarin e BDI-së në agjendën e tyre.
Po si mbijetoi Ali Ahmeti në këto rrethana?
Mendoj se këtë e arriti falë lidhjeve të fuqishme me faktorët kryesorë në Shqipëri dhe Kosovë. Ata herë i hidhërohen Ahmetit, e herë pajtohen, mirëpo ende e konsiderojnë si faktor të paanashkalueshëm të politikbërjes shqiptare në Maqedoni. Kjo me autmatizëm rrit edhe peshën e Ahmetit te opinioni shqiptar. Për këtë arsye Ahmeti vazhdimisht ka rejting më të lartë se partia e tij, por është edhe faktori kryesor që BDI ende wshtw para partive tjera.
Me siguri i tillë do të mbetet edhe në vitin 2019. Madje mund të bëhet edhe më i fuqishëm se në 2018-ën, nëse gjen gjuhë të përbashkët me Hazbi Likën dhe nuk bie nën ndikim e krahut partiak që po e nxit të futet në “konflikt” të drejtpërdrejtë me figurën kryesore të partisë jo vetëm në Tetovë, por edhe në mbarë Pollogun.
Ali Ahmeti ka ditur të balancojë deri tani mes rrymave dhe grupeve rivale në parti. Këtë me siguri do ta bëjë edhe në vitin 2019.

Loading...