Sot në selinë e BDI-së në Tetovë, Kryetari Ali Ahmeti, ka takuar Ambasadoren e re të Ausitrisë në Maqedoni, zonjën Renate Kobler.

Kryetari Ahmeti dhe Ambasadorja Kobler diskutuan rreth situatës politike në vend me theks të veçantë në nevojën për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe zbatimin e marrëveshjes së Qershorit.

Kryetari Ahmeti uroi Ambasadoren Kobler për detyren e re dhe ripërsëriti marrëdhëniet e shkëlqyera me autoritetet austriake ndër vite duke shprehur bindjen që ky bashkëpunim do të vijoj edhe në të ardhmën.

Ahmeti theksoi që fokusi i vendit, përveç se në reformat sistemore dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të prillit, duhet të rikthehet edhe në tejkalimin e pengesës së vetme për anëtarësim në NATO, atë të zgjidhjes së çështjes së emrit.

Ky proces mundëson stabilitet, siguri dhe paqë të qëndrueshme, por njëkohësisht ndikon shumë në marrëdhëniet ndëretnike si shtyllë e stabilitetit të vendit.

Përgjegjësinë për këtë proces që siguron të ardhmën e vendit duhet që ta marrin partitë politike bashkarisht dhe jo ta shfrytëzojnë për politika ditore.

Duke komentuar zhvillimet globale dhe rajonale, z. Ahmeti u shpreh i bindur që koha për të vepruar është tani dhe ftoi komunitetin ndërkombëtar që të kyçet fuqimisht.