Është e pamundur që kudo shfaqet mos të rrezatojë pak nga mirësia e saj. Kështu ka bërë edhe në intervistën dhënë për “Bluetooth”. Mikpritësja e “Dancing with the stars” tregon se sfidën e kërcimit po e shijon si eksperiencë, ashtu si vetëm një zonjë shtëpie di ta bëjë. Pranon të ndajë me lexuesit edhe momentet gazmore, apo edhe tensionet e minutave para shfaqjes. Sipas moderatores, këtë vit shpirti luftarak i konkurrentëve është edhe më i theksuar, por gjithnjë kjo në një ambient gazmor, me batutat e artistëve. Shumë komode është edhe përkrahë moderatorëve të rinj, megjithatë e ndjen mungesën e Ermalit në skenë. Mes angazhimeve të shumta, moderatorja gjen kohën të ndajë dashurinë për ekranin natyrisht duke mos humbur edhe nga momentet e çmuara me familjen.

Një tjetër sezon i suksesshëm tek “Dancing with the stars”, si po gjendet Ami këtë vit?
Si në shtëpinë time. Si gjithmonë shumë komode, jam përfshirë brenda formatit dhe e kam bërë timin “Dancing with the stars”. Për dy vite me radhë keni ndryshuar partnerin në moderim, a ju mungon Ermali në Dancing? Secili ka pasur stilin e tij. Djemtë që janë tani janë shumë “funny”, ndjehem mirë përkrahë tyre. Ermali patjetër që më mungon.

Si i shikoni konkurrentët e këtij viti, sa janë përfshirë në garë?
Konkurrentët janë shumë seriozë në punë. Ndryshe nga vitet e tjera, kasti këtë vit duket edhe më serioz. Janë më të përfshirë në punë, në prova. I gjithë fokusi i tyre është tek kërcimi, jo tek komentet apo vlerësimet, pra tek ana komerciale e spektaklit. E kanë marrë shumë me përgjegjshmëri dhe me këmbë në tokë. Kjo është fryma që ndjehet tek kasti.

A janë nervozë konkurrentët pas kuintave, krijojnë konflikte me njëri­tjetrin?
Këtë vit janë më të qetë se kurrë. Çuditërisht nuk ka skena nervozizmi. Emocion ka gjithmonë para shfaqjes, por është pozitive, Ndikon gjithmonë për mirë, sepse i vë në lëvizje, por skena apo debate nuk ka.

Çfarë nuk duket në shfaqje të enjten mbrëma?
Janë pikërisht këto nervozizmat e vogla para shfaqjes. Përgatitjet e fundit janë ato që nuk duken në ekran, detaje rreth veshjes, apo edhe grimit. Ka edhe shumë batuta, sepse ku ka artistë ka edhe batuta. Është një atmosferë e paqtë, ku secili është i qetë. Backstage është edhe pjesa e argëtimit real, sepse spektakli është disi më brenda kornizave.

Ndryshe nga vitet e shkuara, çfarë ka ndryshuar tek Dancing, po tek Ami?
“Dancing with the stars” është përsosur gjithnjë e më shumë si format. Edhe pse formula dhe patenta janë ndërkombëtare dhe nuk të lënë të devijosh shumë, është një formulë konçize. Dihet se çfarë ndodh, për çfarë bëhet e gjitha kjo, dihet se për çfarë synon një konkurrent, nuk është se është një spektakël sa për t’u argëtuar, ka garë, ka emocion dhe një çmim shumë të mirë. Gjithnjë e më shumë edhe artistët vijnë të përgatitur mirë, jo vetëm për të përfaqësuar veten e tyre, por edhe aftësitë e tyre në kërcim.
Tek Ami ka ndryshuar siguria dhe zotërimi i skenës. Si e thashë edhe më sipër, ndjehem si zonjë shtëpie. Jam në çdo detaj të spektaklit, e kam pjesë timen tashmë. Nëse në fillim ka pasur përgjegjësi më të madhe, për menaxhimin e situatës, si do të shkojë puntata, tani jam në pikën që e shijoj Dancing.

A do ta provonte Ami sfidën e kërcimit si konkurrente?
Patjetër që e kam menduar, do të ishte bukur, do ishte shumë e lodhshme. Unë e di sesa impenjative është, prova çdo ditë. Mbi të gjitha për një femër do të ishte shumë mirë, sepse bën stërvitje të përditshme, tonifikohesh.

Kush mendoni se është më i famshëm Ermali apo ju?
Nuk do të thoja më i famshëm, sepse të dy jemi figura që vijojmë të jemi në korent me publikun, por ka të bëjë me popullaritetin e grupmoshave. Ermali ka një magnetizëm shumë të madh për moshat e reja, fëmijët e duan jashtë mase, nuk ka dalje tonën që mos ti afrohen, të duan të bëjnë një foto me të, apo ti rrëmbejnë edhe një batutë./G.Sh