Shitësi online “Amazon” është bërë kompania më e vlefshme në botë, pasi çmimi i aksioneve të saj e ka kaluar atë të Microsoft-it dhe të gjigantëve të tjerë amerikanë të teknologjisë.

Kompania me seli në Sietëll ka marrë vendin e parë pas rritjes së aksioneve të saj për 3.4 për qind, të cilat e kanë rritur vlerën e saj në treg në 796.8 miliardë dollarë.

Vlera është për 13.2 miliardë dollarë më e lartë se e Microsoft-it.

Shefi ekzekutiv, Jeff Bezos, e ka ndërtuar “Amazon”-in nga një shitës online kryesisht i librave në një kompani që shet lloj-lloj mallrash.

“Apple” ka qenë prej kohësh kompania më e madhe në botë për nga kapitalizmi në treg, por aksionet e saj kanë rënë që nga nëntori, pasi shitjet e “iPhone”-ve në Kinë – një treg kyç për “Apple”, kanë nisur të shënojnë rënie.

“Apple” tani është kompania e katërt, me vlerë prej 702 miliardë dollarësh, pas “Amazon”-it, “Microsoft”-it dhe “Google”.