Ambasadori serb në Ankara, Danilo Vuçetiq ka thënë se në fund të procesit të negociatave me BE-në, Serbia do të kushtëzohet që ta njohë Kosovën.

Në një intervistë me njërën nga gazetat më të lexuara turke “Zaman” në anglisht, transmeton Telegrafi, Vuçetiç ka thënë se se “BE-ja dëshiron që Serbia të njohë Kosovën si një pjesë e procesit të anëtarësimit në BE”.

Është interesante se Vuçetiç ka kritikuar marrëveshjen e Brukselit, dhe se ka përsëritur qëndrimin e Presidentit serb Tomislav Nikoliç, i cili ka thënë se “Brukseli do të na ballafaqojë me njohjen e Kosovës dhe se ne duhet të jemi gati”.

Një qëndrim i tillë, megjithatë, nuk është dëgjuar edhe nga ministri i jashtëm, Ivica Daçiq, i cili është nënshkrues i marrëveshjes së Brukselit, e as nga kryeministri Aleksandar Vuçiq, i cili është tani në krye të ekipit për bisedime me Prishtinën.

Vuçetiq, ndër të tjera, ka thënë se kërkesa e BE-së për Serbinë me Kosovën të nënshkruajë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mund të interpretohet thjesht “si një përpjekje nga ana e BE-së për të detyruar Serbinë që ta njohë Kosovën”.

Ai gjithashtu ka thënë se Marrëveshja e Brukselit parashikon që “Serbia të njohë Kosovën pas mbylljes të gjithë kapitujt e bisedimeve”.

“Pozita e qeverisë serbe është e qartë, ne kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e shpallur njëanshmërisht të Kosovës”, ka thënë ai.

Megjithatë, siç përcjellin mediat serbe, transmeton Telegrafi, raportohet se gazetarit turk i ka thënë se “zyrtarët e BE-së në biseda private me partnerët nga Serbia thonë se vendi ynë nuk mund të bëhet anëtar i BE-së me një problem të hapur”, duke iu referuar Kosovës”.

Loading...